Trashëgimi

Xhamia e Sllatinës së Epërme

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Xhamia e Sllatinës së Epërme, njëkohësisht për shkak të kriterit të vjetërsisë, por edhe për shkak të kriterit arkitekturor paraqet vlera të rëndësishme të vetë arkitekturës islame dhe asaj popullore.

Objekti është evidentuar si i vitit 1924. Por, gjatë vizitës që i bëmë këtij objekti, nga mbishkrimi që ndodhet mbi derën hyrëse të xhamisë, del se objekti  ishte ndërtuar në vitin 1321-1325 sipas hixhrit, e që sipas kalendarit gregorian i bie të jetë viti 1905-1907.  Xhamia pra është ndërtuar brenda dy viteve. Myezini i fshatit (për dyzet vjet me radhë), që tashmë ka 82 vjet, mban mend se nga rrëfimet që i kishin përcjellë pleqtë, iniciator për ndërtimin e xhamisë ishte Emin Aga, vendës i Sllatinës. Xhaminë e kishin punuar dymbëdhjetë mjeshtër dibranë, ndërsa mjeshtër për përpunimin e gurëve ishte zgjedhur Halit Ymeri nga fshati Gjylekar.

Xhemati i këtij fshati di emrat e të gjithë imamëve që ka pasur xhamia e tyre, duke filluar nga imami i parë, Mulla Hetemi. Myezini dhe imami i tanishëm i kësaj xhamie, Shaban Beqiri, thonë se një xhami më e vjetër ka ekzistuar në të njëjtin oborr, por që është prishur kur është ndërtuar kjo e tanishmja.

Materiali ndërtimor i përdorur për ndërtimin e xhamisë është kryesisht guri, hatulla dhe llaç balte.

Xhamia ka pjesët përbërëse të saj, si sallën e lutjeve, hajatin dhe minaren.

Kulmi i xhamisë është katërujës, i mbuluar me tjegulla, ndërsa nga përbrenda është kupola gjysmësferike, e mbyllur. Kupola është e vendosur në tamburanë tetëkëndëshe, por forma e saj zgurrore, përkatësisht konike nga brenda tregon se nuk është ruajtur ngritja tetëkëndëshe nga baza.

Salla e lutjeve i ka të gjitha pjesët përbërëse: mihrabin, minberin, qyrsin dhe mahfilin.

Minberi është i punuar nga guri, që rrallë e gjejmë të punuar me material të tillë. Imami i xhamisë kishte bërë përpjekje ta dekoronte me motiv bimor.

Mihrabi nuk është dekoruar shumë, ndërsa qyrsi ka ngjyrën e bardhë nëpër të cilën janë tërhequr dy vija ngjyrë blu.

Salla e lutjeve është dekoruar me piktura kryesisht me motiv floral. Në sallë, përkatësisht në muret e saj janë vizatuar edhe arabeska, të cilat kryesisht janë rrethore. Në to janë shkruar thënie kuranore. Dy prej arabeskave janë punuar në formën e diellit në lindje a perëndim. Punimet janë kryer nga Blerim Frangu.

Në ballë të mihrabit është shënuar një thënie kuranore, Sureja Kulhuvallahu.

Hajati i kësaj xhamie dallon prej të gjitha hajateve të xhamive të Anamoravës për shkak të shtyllave mbajtëse. Janë gjithsej katër shtylla me kapitele të thjeshta. Shtyllat kanë një diametër prej 4 x 43 = 172 cm në një lartësi prej gjysmë metre, ndërsa pjesa tjetër e shtyllave është tetëkëndëshe,  katër sipërfaqe kanë nga 22 cm gjerësi, ndërsa katër të tjerat nga 14 cm, një perimetër këndor prej gjithsej 144 cm. Druri është i bungut, i fortë, dhe lyer me llak pa ngjyrë.

Mahfli është punuar i ri në bazën e të mëparshmit. Ndërsa, rrethoja e tij është dekoruar me dru.

Dekorimet janë bërë edhe mbi arkitraun e derës hyrëse. Janë katër rrathë gjithsej, dy prej të cilëve janë me motiv bimor, ndërsa dy të tjerë me motiv astral. Te dy fundit duket një punim në formë dielli me rreze. Anash fasadës ballore ndodhet nga një punim gjithashtu dekorues. Në punimin në të majtë të ndërtesës është vendosur një yll në mes të dy gjysmëhënave, ndërsa në të djathtë të fasadës një rreth me motiv astral.

You Might Also Like