Trashëgimi

Xhamia e fshatit Meshinë

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu – QRTK Gjilan

Xhamia e fshatit Meshinë gati është shkatërruar fare. Kështu mund të thuhet edhe për muret e saja, e sidomos për minaren e cila është prej druri, dhe si e tillë haset vetëm në këtë xhami. Në rajon nuk ka edhe një xhami tjetër me minare të drurit. Kryesisht është ndërtuar me gurë, hatulla dhe llaç prej balte në vitin 1886. Dhe, objekti mund të jetë po i kësaj date, sepse nuk vërehen intervenime që mund të kenë ndikuar në ndryshim origjinaliteti. Në të vërtetë, ndodh jo njëherë që të hasim në shkrime që nuk përcaktojnë qartë kohën e ndërtimit të objektit. Zakonisht paraqitet data e objektit të parë, edhe pse objekti aktual mund t’i përkasë një date krejt tjetër. P.sh. xhamia e fshatit Zhujë, po në Komunën e Dardanës/Kamenicës, është e evidentuar si e vitit 1816, po në të vërtetë, objekti aktual i xhamisë së Zhujës i përket vetëm vitit 1946, siç e tregon vetë mbishkrimi në fasadën ballore, ku përmenden edhe mjeshtrit nga Huruglica.

Sallës së lutjeve i prin hajati, në të cilin ndodhen shkallët, të cilat komunikojnë me mahfilin, nga i cili hyhet në minaren e drurit nëpërmjet një deriçke. Mahfili ka një shtrirje ndryshe nga mahfilat e tjerë të xhamive të ndryshme. Në anën lindore shtrihet në tërë sipërfaqen e sallës së lutjeve, ndërsa në anën perëndimore përfundon pa u bashkuar me minberin. Muret e hajatit janë të kornizuara me dy vijëza ngjyrash: me blunë dhe ngjyrë kafenë, ndërsa në pjesët e poshtme të murit vetëm me ngjyrë kafe në të errët. E tërë sipërfaqja është e dekoruar me lule të tipit tapetash. Në anën e sipërme të mureve, mbi dekorimin me ngjyra ndodhen simbole të islamit, – ylli me gjysmëhënën. Ylli ka gjashtë cepa.

Salla e lutjeve, me sipërfaqe 7.40 x 10.60 m,  ka tavan. Ajo ka tetë dritare, ndërsa dy prej tyre korrespondojnë me hajatin. Suvaja e mureve të sallës së lutjeve është pikturuar me jeshilen e çelur, kurse në mes të murit ndodhet një shirit biçim kornize.

Mihrabi është i dekoruar thjeshtë, sikundër edhe minberi i bërë shumë thjeshtë prej druri. Mahfili qëndron vetëm në një shtyllë, ndërsa anash është vendosur mbi muret anësore. Rrethoja e mahfilit, megjithatë është stilizuar bukur. Ka një dekorim në formë halash peshku.

Kjo xhami është e rrezikuar në tërësi, ndërsa rrezikimi i saj po përshpejtohet nga faktorë kryesisht natyrorë, sidomos bora e shiu që depërtojnë edhe në sallën e lutjeve nga kulmi që pikon.

 

You Might Also Like