Libri

VLERËSOHET LART KRIJIMTARIA LETRARE E MEHMETALI REXHEPIT

Gjilan, 18 nëntor 2017

Në vazhdën e veprimtarive letrare të Manifestimit – maratonë “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ediicioni i tetë 2017, në holin e Bibliotekës së re të Qytetit, u vlerësua krijimtaria letrare e shkrimtarit gjilanas, Mehmetali Rexhepit.
Drejtuesi i këtij takimi letrar, shkrimtari Sabit Rrustemi potencoi se, Mehmetali Rexhepi, me 66 vite jetë e 45 vite krijimtari letrare, duket se pikërisht tash është në kulmin e krijimtarisë. Vetëm këtë vit solli tri botime të reja, romanin “Hirësia e motit” dhe librin me poemtha, “Hirësia e flluskuar”, si dhe nga publicisitika, monografinë ” Selatin Novosella – kronist i malbrezave”. Ndërsa më herët, edhe librin me ese, “Enigma e magjikës dhe, vëllimin poetik ” Frymë e fërguar mynxyrave”. Dosido, këto prrurje të reja, domosdo të detyrojnë për t’i vlerësuar.
Kështu, në vazhdim, me vlerësime për prozën e Mehmetali Rexhepit, folën prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe kritiku letrar, Prend Buzhala ( kumtesën e të cilit e lexoi Ramadan Myrtaj ). Kurse, për poezinë, me vështrime u paraqitën Sherafedin Kadriu e Sarë Gjergji, të cilët kryekëput u përqëndruan në librin me poemtha që u botua këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese gjilanase, “Sogjetime”.
Me një vështrim të thuktë rreth monografisë “Selatin Novosella – kronist i malbrezave, u paraqit poeti dhe kritiku letrar, Nexhat Rexha. Kurse me deklamime u paraqitën, Xhezide Selimi e Ramadan Myrtaj.
Ishte vlerësim i përbashkët i referuesve se, shkrimtari Mehmetali Rexhepi, si në poezi, në prozë po edhe në eseistikë, ka sjellur vepra të arrira për nga niveli artistik dhe ai përmbajtësor, ku epiqendër e frymëzimeve të tija mbesin atdheu dhe përditshmëria e tij.

You Might Also Like