Zgjedhjet 2019

Vetëvendosje hapi fushatën në Gjilan

Lëvizja  Vetëvendosje ka bërë hapjen e fushatës zgjedhore, duke zgjedhur Gjilanin, qytet të cilin e kanë cilësuar bastion të Vetëvendosjes, qytet në të cilin kanë mbushur Pallatin e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” dhe para simpatizantëve të tubuar kanë paraqitur të gjithë kandidatët për deputetë nga Anamorava.

Fillimisht të pranishmëve u është drejtuar ish-deputetja dhe kryetarja e qendrës së Lëvzijes Vetëvendosje në Gjilan, dr. Besa Baftiu, e cila ka kërkuar votën e gjilanasve për Vetëvendosjen, duke theksuar se Gjilani dhe mbarë Anamorava janë me Vetëvendosjen, andaj ka kërkuar votën për këtë subjekt politik dhe për Albin Kurtin, kryeministër.

Kandidatja për deputete nga kjo Lëvizje Albulena Haxhiu, tha se Vetëvendosje  është shpresa e popullit të varfëruar . Ajo tha se vota për VV-në, është votë për një qeverisje pa analfabetë, e cila e lufton mafinë dhe korrupsionin.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, duke folur për partitë tjera, tha se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po luan me lodra me bateria.

“Këta politikanë me bateria do të lodhen shumë shpejt. Bateritë e tyre sot do t’i mund energjia jonë. Energjia e të varfërve dhe punëtorëve të shtypur. Energjia juaj. Kjo energji do t’i dërgojë me pension. Edhe ne burg pensionin do t’ua dërgojmë, dhe pasurinë e vjedhur do t’ua konfiskojmë”, ka thënë Visar Ymeri, fjalimi I të cilit është përkrahur nga simpatizuesit që thirrnin emrin e Albin Kurtit, kryeministër, sikurse edhe thirrjet për Lëvizjen Vetëvendosje.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, tha  se me fitoren e Vetëvendosjes populli fillon të shpaguhet. Sipas tij,  tashmë qytetarëve tashmë po u kthehet shpresa, guximi dhe borxhi dhe se merr fund frika e plaçkitja.

“Fitorja e Vetëvendosjes është interes shoqëror, demokraci qytetare dhe nevojë ekonomike. Gjilani është ndëshkuar me moszhvillim. Me fitoren e VV-së në Gjilan e Kosovë bujkut ia kthejmë rendimentet, shkollave arsimin, spitaleve shëndetësinë. Gjilanit i jemi mirënjohës si komb e si shoqëri”, tha Kurti, raporton KP.

Sipas tij, Vetëvendosja me Qeverinë e saj e garanton shtetin e mirëqenies. Kurti tha se tash në fushatë do të dëgjohet se si Vetëvendosje s’e njeh shtetin e Kosovës dhe u ka dhënë këtë përgjigje:

“Ne iu themi atyre njëherë e mirë. Po ne e njohim shtetin e Kosovës. Madje jemi të vetmit që punojmë që ky shtet të forcohet. Këta të koalicioneve nuk e njohin këtë shtet. Ata duhet të përgjigjen për cilin shtet po punojnë”, tha Kurti.

 

You Might Also Like