Arti pamor

“Varg e Vi” relakson pacientët

 

Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” mbrëmë hapi ekspozitën e veçantë artistike, me titullin “Shnosh m’u konë”, me qëllim që hapësirat e spitalit të jenë sa më relaksuese për pacientin dhe stafin mjekësor, si dhe ngritjen emocionale të pacientëve përmes edukimit estetik. Në dyert e jashtme të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, përkatësisht Repartin e Gjinekologjisë, ishte vendosur dizajni artistik i ekspozitës e përbërë nga fasha ngjitëse apo flasteri, si simbolikë e mjekimit, nga dizajneri Florent Buca, si dhe paralajmërimit metaforik se reparti gjinekologjik ishte shndërruar për një natë në një galeri arti.

Artdashësit e mysafirët e ardhur, u grumbulluan në hollin e parë të repartit dhe pas pak minutash, po hapej zyrtarisht edhe ekspozita nga drejtori ekzekutiv i “Varg e Vi”-së, Avni Shkodra, njëherazi edhe pjesëmarrës në ekspozitë, bashkë në vijën e parë të frontit artistik, me artistët e tjerë: Avni Rudaku, Din Azizi, Jeton Muja dhe Kushtrim Sylejmani, ndërsa me kurator, doktorin e mjekësisë, Arben Limonin.

“Të nderuar pjesëmarrës, po hapim ekspozitën e sotme, duke falënderuar për mbështetjen, udhëheqjen e spitalit, e veçanërisht, drejtoreshën e Infermierisë, Sadije Ismailin për bashkëpunimin me qendrën tonë. Qëllimi i kësaj ekspozite është mbështetja e pacientëve e stafit mjekësor për një mjedis sa më të rehatshëm dhe sa më komod brenda spitaleve tona” – ishin fjalët e hapjes nga drejtori Shkodra.

Më pas, audienca hedhte sytë në secilën nga veprat e ekspozuara (tekst, piktura, instalacion, video-projekt dhe audio-stand up komedi me kufje). E para vepër në hapje të ekspozitës ishte një teksti i vendosur në një dërrasë të gjatë e të zezë (“mat”), ku shkruante: “Vetëm n’spital kënaqesh/Vetëm n’spital je mbret e mbretëreshë/Ta këqyrin gojën, t’i hapin sytë, t’ushqejnë, pastrojnë, mbulojnë, t’kapin për dore, masazhojnë, ta masin pulsin…/Familjarët e tu si infermierë, mjekët, motrat e teknikët janë në shërbimin tënd/Rrethi yt, merr edhe kredi për shërim/Vetëm këtu nuk t’vijnë faturat për rrymë, ujë, mbeturina, tatimi n’pronë, TV kabllori, shërbimet për hoxhën e priftin/U kënaqsh n’spital, pa obligime/Shfrytëzoje sëmundjen sa ma shumë për t’u kënaqur…”, për të përçuar mesazhin e relaksimit emocional të pacientëve, me tone edhe satirike e ironike.

Ndërsa në korridorin tjetër përmes të cilët janë shkallët e ngjitjes për në sallat e lindjes, piktori që jeton në Zvicër, Kushtrim Sylejmani, kishte vendosur në të gjitha muret, katër piktura me trenin si simbolikë, por edhe një pjesë të madhe të tyre me abstraksione, me ngjyra të larmishme për ta përmirësuar gjendjen shpirtërore të pacientit. “Trenat” e Sylejmanit i kthenin pacientët në nostalgji, në kohërat e shkuara, ku pacientët ishin të shëruar, e jo të sëmurë! Më tej, publiku i drejtohet instalacionit të Din Azizit, ku artisti i shndërron imazhet e rentgenit në imazhe estetike. Artisti Azizi përpiqej që imazhin e rentgenit, pacientët ta merrnin me sa më pak frikë, sikur të ishin vepra artistike.

Në anën e djathtë të instalacionit, ishin vendosur kufjet e shumta për të dëgjuar audio-stand up-in e Avni Shkodrës, në të cilin përqesheshin disa vese të njerëzve dhe kërkohej empati për të tjerët, teksa ua prishni disponimin dhe nuk e kuptoni nevojën e tjetrit për qetësi, heshtje e kthim kah vetvetja. Shkodra satirizonte me të gjithë njerëzit, qofshin këta edhe familjarë të pacientit, staf mjekësor, apo kushdo tjetër, që flet pandalshëm dhe nuk kujdeset për dëgjim aktiv, si një nga elementet kryesore të mirëqenies njerëzore. Afër audio-stand up-it, ishte vendosur një video-projekt, me titra në gjuhën shqipe, ku tregohej përvoja në vendet e huaja, të transformimit të spitalit, me protagonistë disa fëmijë, e ku artisti Jeton Muja ftonte fëmijët me një kuti postare, të vendosnin idetë apo projektet e tyre se si do të donin ta shihnin spitalin në të ardhmen, duke zhvilluar interaksion të veprës me vizitorët.

Ekspozita gjatë gjithë kohës ishte shoqëruar me një koktell rasti. E veçanta ishte se edhe konktelli ishte pjesë e pandarë e vetë ekspozitës, si vepër arti e Rudakut, e jo jashtë saj. Gotat ishin si vepra artistike, të mbushura me lëng boronice dhe disa thënie të vendosura me shirita në mbi 40 gota me të cilat vetëshërbeshin mysafirët. Këtu boronica ishte në funksion të kujtesës kolektive kosovare, pasi një nga lëngjet më të shpeshta të dërgimit në spital te pacientët, ka qenë pikërisht ky lëng, ndërsa thëniet e poetit Rudaku, ishin me mesazhe të ndryshme, ku i bëhej thirrje pacientëve që ta përjetonin spitalin, me pushim dhe shkëputje të përkohshme nga shumë obligime të mërzitshme ditore, mujore e vjetore.

“Varg e Vi” e mori mbështetjen për hapësirë të ekspozitës nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, ndërsa për përkrahje financiare, nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

 

 

 

You Might Also Like