Arti pamor

“Varg e Vi” ekspozon në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit

Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” pas një sërë ekspozitash, punëtorish dhe aktivitetesh të tjera kulturore-artistike, do të ekspozojë më 11 tetor 2019 (e premte), ora 20:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku do të niset me ekspozimin e veprave nga hyrja për në korridorin e Repartit të Gjinekologjisë. Në këtë projekt të emërtuar “Shnosh m’u konë”, do të marrin pjesë pesë artistë: Avni Rudaku, Avni Shkodra, Din Azizi, Jeton Muja dhe Kushtrim Sylejmani.
E veçanta e këtij projekti është jo vetëm hapësira ku do të realizohet, por edhe për faktin se kurator i ekspozitës, është Arben Limoni, doktor i mjekësisë. Në tekstin e tij për veprat e artistëve dhe ekspozitën “Shnosh m’u konë”, kuratori Limoni shkruan: “Arti është projektim i përvojave, i emocioneve dhe kujtimeve. Arti ka fuqinë për të regjistruar realitetin dhe fantazinë. Kështu, vëzhgimi i rrethit ku ne jetojmë e veprojmë është thelbësor për krijimin e artit. Shkathtësitë e vëzhgimit janë gjithashtu të rëndësishme në mjekësi, shpesh duke siguruar një pasqyrë të menjëhershme të problemit që paraqet pacienti. Vëzhgimi është një mjet i tillë parësor në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve, ashtu si mënyra se si është jetike për krijimin e artit. Natyra e punës së artistëve i bën ata vëzhgues të shkëlqyeshëm. Arti në punën e mjekut konsiston në artin e komunikimit, artin e kuptimit të pacientit, artin e të shprehurit…Në këtë projekt, këta artistë, secili me formën e vet, do ta pasurojnë këtë ndërveprim në mes të mjekut e pacientit, si dhe hapësirave ku zhvillohet ky interaksion.”
Sipas drejtuesve të “Varg e Vi”-së, qëllimi i këtij projekti është krijimi i hapësirave sa më të këndshme, sa më artistike, sa më relaksuese dhe sa më të shëndetshme për pacientët në spitalet tona.
Projekti “Shnosh m’u konë” është përkrahur për shfrytëzimin e hapësirës nga Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, ndërsa materialisht është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

You Might Also Like