Arti pamor

“VARG E VI” E HAPI FESTIVALIN ME 8 VIDEO-ARTISTË NDËRKOMBËTARË

Varg e Vi, 3 qershor 2019 – Në Shtëpinë e Rinisë në Gjilan, Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi”, pas projektit mbi trashëgiminë kulturore “G-performance”, e hapi edhe festivalin e parë të këtij lloji me video-art, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në atë rajonal. Para se të uleshin pjesëmarrësit, merrnin pupagjela apo “pucka” dhe nga një shishe ujë, duke i dhënë veçanti simbolike festivalit edhe për nga artikulli i shërbyer.

Drejtori i kësaj Qendre, Avni Shkodra, pasi falënderoi pjesëmarrësit dhe mysafirët e huaj nga Holanda e Mbretëria e Bashkuar, deklaroi: “Po e hapim festivalin OHH! Urban Video Art Festival, ku do të paraqiten përgjatë dy muajve tetë video-artistë ndërkombëtarë. Videot do të vendosen në hapësirat publike urbane të Gjilanit, përkatësisht, në tri pjesët kryesore të qytetit si: tek objekti në qendër të qytetit – Sheshi i Ri, tek hapësira e Bibliotekës së Qytetit dhe në amfiteatrin e hapur në lagjen Dardania 1. Gjilani do ta ketë gjallërinë e vet kulturore-artistike dhe shpresoj se të gjithë artdashësit do të kënaqen me video-artet e artistëve nga Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Holanda, Izraeli, Suedia, SHBA, Norvegjia dhe Rusia.”

Më pas, Shkodra njoftoi edhe për bashkëbisedimet që do të zhvillohen me çdo artist në kafen e Egzonit në lagjen Dardania 1, ku për çdo javë sa shfaqen video-artet e artistëve ndërkombëtarë, do të ketë edhe biseda me çdonjërin prej tyre. Në hapje, fjalën e mori edhe kuratorja dhe ideatorja holandeze e festivalit, Maureen Bachaus. “Ndihem shumë mirë në Kosovë dhe në Gjilan, duke bërë hapjen e këtij festivali. Ideja ka qenë që për çdo javë, në pjesë të ndryshme të qytetit, të ketë punime të një video-artisti ndërkombëtar dhe përgjatë dy muajve, të jenë gjithsej 8 video-artistë me nga dy video-arte të tyre. Hapjen do ta bëjmë me Sam Christie dhe do ta përmbyllim me Mischa Badasyan.” Pas fjalës së kuratores, publikut iu shfaqën dy video-arte të artistit nga Mbretëria e Bashkuar, Sam Christie, e ku më pas rrëfeu se ku i gjente inspirimet për të bërë art. “E gjej artin në vendet e braktisura, në peizazhe, në natyrë. Mendoj gjatë se si një vend të zbrazët, një natyrë apo objekt të lënë nga njerëzit, ta bëj të gjallë e t’i jap shpirt. Arti për mua është dashuri, interferencë…” – u shpreh artisti Christie.

Festivali do të jetë i hapur nga 2 qershori – 28 korrik 2019, ndërsa mbështetja financiare është bërë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, pas aplikimit në thirrjen për projekte kulturore-artistike, ndërsa Drejtoria për Shërbime Publike dhe Biblioteka e Qytetit po ashtu kanë miratuar kërkesën e Varg e Vi-së për shfrytëzimin e hapësirave publike për tri projektorët e vendosur në tri pjesë të ndryshme të qytetit, ku do të jenë në dispozicion për të gjithë kalimtarët e rastit apo artdashësit që do të nisen me “të kastë” nga shtëpia për t’i shijuar pikërisht video-artet e 8 artistëve ndërkombëtarë.

You Might Also Like