ARSIMI

Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” filloi vitin e ri akademik 2019/2020

Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, në mënyrë solemne është bërë pritja e studentëve me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/2020

Studentëve të rinj mirëseardhje u ka dëshiruar, Rektori i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi.

Rektori ka thënë se janë tri risi me të cilat ne po fillojmë këtë vit të Ri Akademik:

1.Themelimi i fakultetit të pestë, Fakulteti i Shkencave Aplikative, me programin e parë Matematika arsimore. Me këtë fakultet po hapim një rrugë të re, shumë të mirë për studentët dhe tregun e punës.

2. Për herë të parë një pjesë e stafit tonë akademik dhe administrative fituan një projekt të Erasmus+, si grant-mbajtës. UKZ do të menaxhojë projektin me rreth 15 partnerë universitarë nga Kosova, rajoni dhe BE, në një vlerë prej afro një milion eurove.

3.Sot fillon mandati i ri i organeve udhëheqëse të universitetit: i rektorit, senatit dhe i dekanëve.

Rektori po ashtu ka thënë se orientim në këtë mandat do të jetë matja e cilësisë, përgatitja e studentit për tregun e punës dhe autonomia e Universitetit.

Rektori Kosumi në fjalën e tij, ka falënderuar studentët që e kanë zgjedhur dhe po e zgjedhin UKZ si alternativë jete e po ashtu ka falënderuar edhe ata studentë, të cilët me sukseset e tyre në Evropë e Amerikë, po ia rrisin autoritetin UKZ.

Duke qenë se sot nis mandati i ri i rektorit, i Senatit dhe i dekanëve, Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan universitetin të jemi sot këtu ku jemi, derisa është shprehur i sigurt se pas katër vitesh, kur të fillojë viti i ri akademik dhe mandati i tretë i organeve menaxheriale të universitetit, organizime të këtilla do të mbahet në një sallë tjetër madhështore dhe me suksese madhështore.

Ndërkohë , para studentëve me një fjalë rasti është paraqitur edhe kryetari i Parlamentit Studentor në Universitetin “Kadri Zeka”, Dritor Mehmeti. Ai falënderoi të gjithë studentët e rinj që kane zgjedhur Universitetin ‘Kadri Zeka’ si rrugën kryesore përmes së cilës dëshirojnë të arrijnë synimet e tyre jetësore. Kryetari Mehmeti tha se Parlamenti dhe Këshillet Studentore çdo herë do të jenë në shërbim të tyre. Njëherësh ka inkurajuar të gjithë ata student të cilët shprehin gatishmërinë të jenë pjesë e përfaqësimit studentor të ju bashkëngjiten strukturave të përfaqësimit në mënyrë që ta organizojnë jetën studentore në mënyrën më të mirë te mundshme!

Edhe drejtuesit e njësive akademike, bashkë me stafin e tyre, kanë takuar studentët e rinj për t’i informuar rreth programeve të studimit qe ata kanë zgjedhur të studiojnë.

You Might Also Like