Gjilan

Tetë asamblistë të Gjilanit në garë për t’u bërë deputetë

E provuan garën për t’u bërë asamblistë në Asamblenë Komunale të Gjilanit e tashti tetë asambleistë janë në garë për t’u bërë deputetë në Kuvendin e Kosovës. Subjektet politike, por edhe kandidatët vlerësojnë se këta asamblistë kanë bërë shumë për qytetin e Gjilanit dhe besimi i qytetarëve në ta është rritur, andaj edhe i kanë futur në listat e tyre për deputetë, por se tani votat që i kishin duhet shumëfishuar.

Në listën LDK-AKR-Alternativa ka zënë vend kryesuesja e Asamblesë Komunale të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila në zgjedhjet komunale ishte ndër femrat më të votuara, andaj asaj i ishte dhënë edhe besimi për të udhëhequr asamblenë. Në këtë listë bënë pjesë edhe Isa Agushi i LDK-së, i cili gjatë kohës së luftës njihej me nofkën komandant Dardani. Po në këtë listë do të jetë edhe Ismet Hajdini, i cili tashti është pjesë e AKR-së, kurse edhe Selvete Shurdhani , këshilltare komunale tashti synim ka që të zë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Leonora Morina – Bunjaku, mësimdhënëse e gjuhës angleze është e vetmja kandidate femër nga Gjilani në listën e PDK-së e me këtë subjekt politik në të njëjtën listë do të konkurrojë edhe Bajram Hasani i Nismës.

Asambleja Komunale e Gjilanit do të mund të mbetet edhe pa dy këshilltarë komunalë, gjithsesi nëse ata do të zgjidheshin deputetë. Lëvizja Vetëvendosje në listën e vet ka futur shefin e këshilltarëve të VV-së në Asamblenë Komunale, Nevzad Isufin, sikurse që pjesë e kësaj liste është edhe Arjeta Rexhepi.

You Might Also Like