Trashëgimi

Teqeja e Sheh Zenel Abedinit në Topanicë

dini    Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Në fshatin Topanicë, komuna e Dardanës (Kamenicës), gjendet Teqeja e Sheh Zenelit bashkë me tyrben e hapur. Ndërtesa është mjaft e vjetër, sipas gjitha gjasash i përket gjysmës së shek. XVIII. Ajo ka shërbyer për kryerjen e ceremonive fetare të rendit halveti.

Teqeja është njëkatëshe, me planimetri drejtkëndëshe. Përbëhet prej dy kthinave dhe hajatit gjysmë të hapur. Hajati gjendet në anën veri-perëndimore të teqesë. Mbështetet mbi pesë shtylla të drurit të gdhendura, që paraqesin punën e mjeshtrit popullor në drugdhendje. Dy prej shtyllave të hajatit kanë edhe kapitele të dekoruara me gdhendje dhëmbëzore. Gjithashtu, në pozitën anësore, kah veriu, që përfshin edhe hyrjen në hajat, pjesa e çatisë, përkatësisht druri i dukshëm nën qeramidhe ka formë dhëmbëzore, që merr formën e frizit, por vetëm si një trakt i mbetur.

Objekti ka dy kthina, nga të cilat e para quhet mejda odasi dhe e dyta semahane. Kthina e parë u shërbente dervishëve për ndejë e bisedime para dhe pas ziqrit (ritual fetar). Hyrja në këtë kthinë bëhet nga hajati, nëpërmjet derës që gjendet në murin perëndimor. Pranë derës së odës, në hajat, gjendet oxhaku.

Kthina e dytë – semahania gjendet pranë dhomës së parë, në këndin jugor. Në kthinën kryesore hyhet nga hajati, baza e të cilit është më e lartë se baza e dhomës qendrore, për rreth 30 cm. Në  këtë kthinë ndodhen pesë dritare dy në lindje, dy në jug dhe një në perëndim. Dritaret kanë formë katërkëndëshe, ndërsa mbi to, të vendosur në të majtë, ndodhen hapjet tjera më të vogla, të cilat kanë formën e gjysmëharkut me majë. Në lindje të kësaj kthine ndodhet edhe mihrabi, i ruajtur ende.

Semahania  ka qenë e rregulluar, me shtrojë e mbulojë, me disa foto të ndryshme në të, me dy varre të improvizuara dhe mjete a vegla që u kanë shërbyer dervishëve për çështje të ndryshme si: tri shpata, një palë pranga, një flamur etj.

Ndërtimi i teqesë është realizuar nga gurët, qerpiçi, druri dhe llaçi i baltës. Ka kulm katër ujor, të mbuluar me tjegulla argjile. Kulmi vazhdon edhe mbi hajat duke krijuar strehë të gjerë. Oborri është i rrethuar me mur nga guri, i cili pas luftës së fundit në Kosovë është rinovuar.

Pranë teqesë gjendet tyrbja ku janë varrosur udhëheqësit e rendit halveti. Në tyrbe gjenden 7 varre, në të cilët, përpos sheh Zenelit, Rrustës, Ibrahimit, Aliut, Ismailit e Abdylit, është varrosur edhe një i huaj, emri i të cilit nuk dihet.

Ajo ruan gjendjen fillestare, vetëm se është dëmtuar në masë të madhe.

Në vitin 2012 në këtë teqe janë ndërmarrë intervenime restauruese, me ç’rast është restauruar kulmi, është bërë suvatimi i brendshëm dhe i jashtëm, janë ndërruar dritaret dhe dyert, si dhe është rregulluar oborri.

 

You Might Also Like