Teatër

Teatri Shqiptar i Shkupit solli një shfaqje të dimensionit të madh dhe që godet

Gjilan, 25 janar 2018 – Teatri Shqiptar i Shkupit ka sjellë në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës” shfaqjen “G” me tekst të At Gjergj Fishtës, me regji të Sylejman Rushitit.

Në shfaqje luajtën Adem Karaga, Vjollca Bekteshi – Hamiti, Aida Elezi, Blerim Dardhishta, Dritëro Ame, Genci Mirzo, Visar Etemi, menaxher skene Ibrahim Xhemajli, ispicient Orhan Kadriu, rekuizitat Hisni Vila, ndricimi Ydaver Xhemajli dhe Ahmet Cajani, grimi Avdi Bilal dhe Nora Pitarka Luta, garderobier Adnan Rexhepi dhe Atixhe Demiri, përgjegjës i dekoratorëve Zekirija Avdi, dekorator kujdestar – Afrim Rustemi dhe Remzi Halili.

Ndonëse Gjergj Fishta kishte shkruar e vepruar  afër një shekull më parë, kjo shfaqje përkon edhe me realitetin e sotëm, ngase në të mund të shohësh edhe të gjitha të metat e qeverisjes së sotme dhe fenomene të ndryshme negative në shoqërinë shqiptare. Tema e kësaj shfaqje është shumë aktuale, kurse trupa teatrore është përgëzuar për paraqitjen.

Kjo shfaqje ka ngjallë një debat të nxehtë, në të cilin janë kyçur regjisorë, dramaturgë, aktorë e dashamirë të artit skenik.

Shefqet Gjoci, udhëheqës i debateve pas shfaqjeve, ka thënë se shfaqja pasqyron problemet e qeverisjes, politikanët e padenjë dhe atdhedashurinë nga identiteti fals.

Sipas tij, në shfaqje paraqitet revolta ndaj politikës së kohës, kurse ka thënë fjalë miradije për regjisorin Sylejman Rushiti për një gjetje të bukur që i përshtatet kohës.

Qëndrim Kqiku, aktor, tha se kjo shfaqje i flenë festivalit dhe se shikuesi ka mundur të shoh historikun dhe problemet e shqiptarëve, derisa dramaturgu nga Shqipëria Mio Gjini, tha se kjo shfaqje shton laramaninë e festivalit.

Ai shfaqjen e cilësoi me vlerë, kurse edhe skenografinë shumë praktike. Me fjalë miradie ka folur edhe Naim Shaqiri, kurse Agron Gërguri, megjithëse tha se shfaqja kishte elemente të mira, ai shtoi se kësaj shfaqje i mungoi thellësia dhe se kjo ishte mungesa më e madhe.

Ylber Nuredini, tha se regjisori i shfaqjes ka një fantazi me shumë kulturë dhe se ka bërë një regji të pastër e të kristaltë, kurse për lojën e aktorëve tha se trupa ka funksionuar shkëlqyeshëm.

Josif Papagjoni, duke folur për shfaqjen, ka thënë se është bërë një regji inteligjente që artikulon mesazhe interesante dhe se është bërë një përpjekje e shumanshme.

Sipas Papagjonit, shfaqja pati thellësi dhe paraqet qeveritë e sotme, ishte shfaqje e dimensionit të madh, por sipas tij shfaqja nuk ishte e realizuar deri në fund dhe se është e zgjatur në kohë.

“Kjo është një shfaqje e dimensionit të madh dhe shfaqje që godet”, ka thënë Josif Papagjoni.

You Might Also Like