OPINION

TË DHËNA TË PANJOHURA MBI POPULLSINË E GJILANIT DHE FSHATRAVE PËRRETH NË FILLIM TË SHEK. XX

fitim-rifati-1  Shkruan: Mr. sc. Fitim RIFATI, Instituti i Historisë – Prishtinë –

Statistika demografike përbën një metodë të veçantë, e cila merret me numërimin e tërësisë së të dhënave të mbledhura të popullsisë dhe të renditura e grupuara sipas një kriteri të caktuar. Të dhënat e mëposhtme, edhe pse jo të plota për shumicën e fshatrave të rrethinës së Gjilanit, shërbejnë për të njohur më gjerësisht numrin e familjeve dhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së kësaj treve, përbërjen etnike, shpërndarjen gjeografike dhe toponiminë e Gjilanit dhe të fshatrave përreth në fillim të shekullit XX.

Këto të dhëna statistikore, të hartuara nga intelektualë dhe anëtarë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918-1924) me qendër në Shkodër, janë përpunuar në bazë të regjistrimeve osmane para vitit 1912 dhe si të tilla i kanë shërbyer Programit të këtij Komiteti, për të protestuar para faktorit relevant ndërkombëtar mbi padrejtësitë historike që Fuqitë e Mëdha kishin vendosur ndaj popullsisë shqiptare. Anëtarët e këtij Komiteti i kanë prezantuar këto statistika para përfaqësuesve e forumeve diplomatike ndërkombëtare, duke kërkuar që çështjen etnike të Kosovës ta zgjidhnin në përputhje me kërkesat dhe të drejtat e shumicës së popullsisë.

Në këtë dokument statistikor mungojnë të dhëna për fshatra të rrethinës së Gjilanit, si: Bilinica, Llashtica, Vrapqiqi, Inatoci, Kishnapole, Kmetoci, Kravarica, Llovca, Godeni, Pidiqi, Sllubica, Stançiqi, Stublina, Çeliku e Shurdhani. Si e tillë, kjo pasqyrë statistikore e mëposhtme, nuk mund të llogaritet e kompletuar përderisa mungojnë statistika për fshatrat e mësipërme. Mirëpo, hulumtimet dhe studimet e mëtejme të studiuesve (demografëve, historianëve, gjuhëtarëve etj.), mund të plotësojnë boshllëqet që përmban kjo statistikë e popullsisë për Gjilanin dhe fshatrat përreth.

Sipas kësaj statistike, Gjilani dhe vendbanimet e tij kanë këtë strukturë të popullsisë:

1. Gjilani (Gylan): 18.887 banorë, 1.447 familje shqiptare ose 13.025 banorë dhe 652 familje serbe ose 5.862 banorë. Kishte 5 xhami, 1 kishë ortodokse, 4 hotele dhe 200 dyqane.

2. Bresalc (Bresaltza): 57 familje shqiptare ose 609 banorë.

3. Bukovik (Bukovitcki): 23 familje shqiptare ose 354 banorë.

4. Burincë (Borintza): 25 familje shqiptare ose 292 banorë.

5. Caparë (Sapari): 10 familje shqiptare ose 154 banorë.

6. Cërrnicë (Sernitza): 816 banorë, 61 familje shqiptare ose 629 banorë dhe 19 familje serbe ose 187 banorë.

7. Dobërqan (Dobroutchani): 51 familje shqiptare ose 716 banorë.

8. Dunav (Donova): 21 familje shqiptare ose 253 banorë.

9. Gadish (Gadicki): 37 familje shqiptare ose 407 banorë.

10. Lipovicë (Sipovitza): 21 familje shqiptare ose 267 banorë.

11. Livoq i Epërm (Livatchi Eper): 301 banorë, 17 familje shqiptare ose 162 banorë dhe 14 familje serbe ose 139 banorë.

12. Livoq i Ultë (Livatchi i Pochter): 49 familje shqiptare ose 632 banorë.

13. Lladovë (Lladova): 37 familje shqiptare ose 407 banorë.

14. Malishevë (Malicheva): 65 familje shqiptare ose 715 banorë.

15. Muçibabë (Moutchibaba): 25 familje shqiptare ose 307 banorë.

16. Nasalë (Nosaltza): 5 familje shqiptare ose 49 banorë.

17. Përlepnicë (Perlepnitza): 40 familje shqiptare ose 475 banorë.

18. Pogragjë (Potgratcki): 35 familje shqiptare ose 349 banorë.

19. Ponesh (Ponecki): 458 banorë, 28 familje shqiptare ose 317 banorë dhe 13 familje serbe ose 141 banorë.

20. Sllakovc (Slakovtza): 45 familje shqiptare ose 495 banorë.

21. Shillovë (Chilova), 314 banorë, 13 familje shqiptare ose 147 banorë dhe 15 familje serbe ose 167 banorë. Ky fshat kishte 2 çifçinj.

22. Uglarë (Uclari): 19 familje shqiptare ose 201 banorë.

23. Velekincë (Nelikintza): 25 familje shqiptare ose 212 banorë.

24. Verbicë (Verbitza), 25 familje shqiptare ose 254 banorë.

25. Zhegër (Zhygri): 672 banorë, 51 familje shqiptare ose 519 banorë dhe 15 familje serbe ose 153 banorë.

26. Zhegoc (Zhegovtza): 19 familje shqiptare ose 191 banorë.

Sipas të dhënave të mësipërme statistikore, popullsia shqiptare e Gjilanit dhe rrethinës përbënte shumicën dhe shtrihej në të gjitha fshatrat e rrethinës së Gjilanit. Nga 26 vendbanimet e mësipërme, 20 prej tyre përbëheshin vetëm me popullsi etnike shqiptare dhe 6 vendbanime përbëheshin nga popullsi e përzier (shqiptare dhe serbe), në të cilat, përpos fshatit Shillovë, shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë. Numri i përgjithshëm i popullsisë së këtyre

vendbanimeve ishte 28.787 banorë, ku pjesa më e madhe e popullsisë (18.887 banorë) jetonte në qytet, kurse pjesa tjetër (9.900 banorë) jetonte e shpërndarë në 25 fshatra. Popullsia shqiptare numëronte 2.251 familje ose 22.138 banorë, kurse popullsia serbe numëronte 728 familje ose 6.649 banorë. Pas Gjilanit, që ishte qendër e këtij rrethi, Malisheva ishte fshati me më së shumti familje (65), ndërsa Dobërqani ishte fshati me më së shumti banorë (716). Nasala ishte fshati me më së paku familje (5) dhe banorë (49).

Statistikat e mësipërme për Gjilanin dhe rrethinën në fillim të shek. XX, paraqesin të dhëna me vlera shkencore historike, gjeografike (demografike) e gjuhësore (toponimi), kulturore (fetare) e ekonomike (bujqësore, tregtare, zejtare), për përbërjen dhe shtrirjen e popullsisë shqiptare e asaj serbe dhe evoluimet që ajo ka përjetuar pas vitit 1912. Këto të dhëna shërbejnë për të hulumtuar, analizuar, krahasuar e studiuar fenomenet dhe ndryshimet shoqërore e demografike të popullsisë së Gjilanit dhe rrethinës përgjatë shekullit XX.

You Might Also Like