Futboll

Sukseset e “FC Kosova” në Zvicër gëzim për të gjithë shqiptarët

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot klubin sportive “FC Kosova” seniorët nga Zvicrra, të cilët tashmë kanë hyrë në Ligën e Parë të Zvicrës dhe janë ekipi i parë që ka arritur këtë nivel në futbollin zviceran nga komunitetet pakicë që jetojnë në këtë shtet.

“Urime për klubin tuaj, për shqiptarët në Zvicër dhe veçanërisht në Cyrih ku edhe është klubi. Si fëmijë gurbetqari edhe unë për një kohë edhe kam jetuar atje, e di se gëzimi juaj dhe i shqiptarëve atje është dhjetfish më i madh, por një lajm shumë i gëzuar është edhe për neve në Kosovë. Është ardhur një kohë shumë e mire, shqiptarët po plasohen para të tjerëve kudo nëpër botë me punë të mira me kultur, me sport dhe suksese në fusha të ndryshme, për dallim prej një kohe të mëhershme, kur imazhi për shqiptarët ka qenë jashtëzakonisht i rëndë, sepse i tillë është prezantuar nga individ, mekanizma dhe grupe të caktuara”, ka thënë kryetari Haziri.

“Koha ka ndryshuar, tashmë në vendet e ndryshme nëpër botë kemi shqiptarët me kulture dhe qytetari të lartë, të barabartë me komunitetet shumicë në shtete të ndryshme të botës. Kjo kulturë dhe kjo kohë e mirë ka ardhur vetëm me punë të përkushtuar dhe me angazhim. Jemi jashtëzakonisht krenar me ju dhe shumë të gëzuar me arritjet tuaja”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai më tej ka bërë të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, sportive, pastaj aktiviteteve në teatër, film dhe aktivitete të shumta rinore, që ka organizuar Komuna e Gjilanit për periudhën e ardhshme gjashtë javore për pritjen e bashkpatriotëve apo bashkatdhetarëve nga mërgata.

Kurse, Adnan Ismajli, në emër të klubit sportive “FC Kosova”, ka njoftuar kryetari Haziri me mënyrën e organizimit, rrugën nëpër të cilën ka kaluar ky klub, deri në Ligën e Parë të Zvicrës, por edhe vendosmërinë për të punuar për suksese të mëtejme.

Ndryshe, “FC Kosova” do të luaj ndeshje miqësore me klubin “Bashkimi” të Koretinit dhe klubin  “Dardana”.

Klubi “FC Kosova”, i ka dhuruar kryetarit Haziri, flamurin e klubit dhe fanelën e lojtarit me numrin 9 dhe emrin e tij, si shenjë respekti dhe përkrahje që vazhdimisht ka dhënë për këtë klub të sportit në diasporë.

You Might Also Like