Trashëgimi

Shtëpia e Muharrem Currit në Dremjak të Hanit të Elezit

diniShkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

 Është shtëpi karakteristike për madhësinë që kishte për kohën dhe për thyerjet dhe hyrjet interesante. Objekti ka një hyrje të hapur, më të madhe se sa zakonisht janë hyrjet kryesore. Hyrja pasohet nga një korridor i gjerë që shfrytëzohet për ndejë gjatë ditëve të nxehta. Nga ky korridor shkohet në dy dhoma, – njëra që është më e vogël përdoret për pritjen e ndonjë miku, ndërsa tjetra dhomë është ajo e ndejës, ku edhe sot rrinë 8 anëtarë të familjes Curri. Dhoma për miq ka dy dritare dhe një dollap dhe duket se dritësohet mjaftueshëm. Dhoma e ndejës ka dy dritare që nuk e dritësojnë brendinë e saj, prandaj gjithnjë të zotët mbajnë një dritë elektrike të ndezur.  Kjo dhomë komunikon me një dhomë tjetër nëpërmjet një dere të posaçme. Dhoma e fundit nuk përdoret tani. Në të kanë vendosur ca rraqe të ndryshme. Tavanet e dhomave zakonisht kanë arkitra. Nga korridori me hyrje të hapur nëpërmjet shkallëve të drurit komunikohet me një korridor tjetër në kat. Korridori i katit komunikon me 4 dhoma me hyrje asimetrike. Të gjitha dhomat nuk janë të dritësuara mirë, ndërsa njëra dhomë që arbitrarisht e quajtëm dhoma e rraqeve, nuk përdoret fare.

Në kat ndodhet  një dhomë më e madhe se të tjerat, e cila ka edhe hyrje të veçantë, prandaj si e tillë është përdorë si odë burrash. Dhe ka pamjen e odës me oxhak brenda.

Në fasadën ballore ndodhet çardaku me rrethojë prej druri të stilizuar me gdhendje motivesh të ndryshme, gjeometrike në radhë të parë.

Shtëpia ka kulm katërujës të mbuluar me qeramidhe. Duket se kulmi i ka “fjetur”, prandaj duhet të intervenohet në të sa më shpejt, edhe për faktin se pikon, edhe për faktin se është shtëpi e rrallë në fshatra që banohet. Përndryshe, shtëpia ka edhe bodrumin që është shfrytëzuar për ahur bagëtish, por që i zoti ka ndërhyrë në murin lindor, i cili “kishte dhënë bark” përbrenda.

Në të vërtetë, sikundër të gjitha shtëpitë e këtij fshati, edhe kjo e Muharrem Currit është ndërtuar kryesisht me gurë, llaç balte dhe hatullat si element konstruktiv.

You Might Also Like