ARSIMI

Shkolla “Sadullah Brestovci” shënoi ditën e saj

Shpirti i Sadulla Brestovcit po ndritë mbi çdo fëmijë që lexon shkronjën e parë e deri në studime, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit.

Në shënimin e Ditës së Shkollës “Sadulla Brestovci” në Gjilan, u mblodhën sot për të shënuar dhe nderuar dy misione të ndryshme, atë që ka shkolla përmes procesit edukativo-arsimor dhe atë që kishte Sadulla Brestovci për çështjen kombëtare, lirinë e shqiptarëve dhe ngritjen intelektuale të popullit shqiptarë në Kosovë me rrethinë, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë moderne.

Me përmbledhjen e gjurmëve që ka lënë në historinë e Kosovës dhe me kontributin e madh për çështjen kombëtare që ai ka bërë sa ishte gjallë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ai jetoi jetën më shpejtë se sa ne të tjerët që jemi gjallë, për të lënë pas vetes një vepër të madhe që është pikë referente dhe do të jetë për shumë gjenerata.

“Në kohën kur angazhimi politik, kulturor dhe shoqëror në përgjithësi, në përpjektjet e shqiptarëve për një autonomi dhe liri më të zgjeruar, kanë bërë që njëri ndër njerëzit kryesor, i cili, që ka lënë gjurmë në këtë angazhim të jetë pikërisht Sadulla Brestovci. Ai me guximin intelektual dhe me dije, ka shtyrë përpara të drejtën për liri të shqiptarëve dhe për autonomi. Profesori Sadulla ishte njeriu, i cili, ka sfiduar në themel marrëdhëniet shqiptare me ato të popujve sllav, e në veçanti marrëdhëniet mes popullit shqiptar dhe atij serb. Raport ky, i cili edhe sot është i pashterur deri në atë shkallë që po pretendohet. Jam i nderuar që si kryetar në mandat kisha kënaqësinë e veçantë që ta pranoj propozimin e shkollës, të qytetarëve të Gjilanit dhe njerëzve, në mënyrë që ta inicioj në emër të kolektivit të kësaj shkolle, nxënësve dhe qytetarëve të lagjes, sikurse edhe emërtimet e shkollave me emrat e Nazmi Hoxhës dhe Zija Shemsiut”, ka thënë kryetari Haziri në fjalën e tij.

Ai më tej ka pohuar se emri i tij po ndriçon që nga themelet e shtetit të Kosovës me dijen që po del dhe do të vazhdoj me gjenerata të tëra në këtë shkollë.

“Shpirti i tij po ndritë mbi çdo fëmijë që lexon shkronjën e parë e deri në studime në shkencat të ndryshme dhe çfarëdo drejtimi që merr. Ai jetoi jetën më shpejt se ne të tjerët, mirëpo trashëgiminë që ka lënë pas është jashtëzakonisht e madhe. E falënderoj drejtorin e shkollës për angazhimin e madh që po bëhet këtu së bashku me stafin në ruajtjen e aseteve, duke potencuar faktin se asnjë punë nuk do të mbahet mend në të ardhmen përpos shkollës, mësuesit dhe nxënia e dijes”, ka përfunduar kryetari Haziri, duke potencuar se kuadrot që do të dalin gjithnjë do të jenë bazë e kësaj shkolle.

Ndërsa, Akademik Mehmet Halimi, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Shqipe Haziri e drejtori i shkollës, Ruhan Zymberi, kanë kujtuar veprimtarinë e Sadulla Brestovcit dhe njëkohësisht kanë ofruar gatishmërinë maksimale që kjo shkollë të jetë edhe më e suksesshme gjatë të ardhmes përmes sukseseve të përbashkëta të nxënësve dhe të mësimdhënësve të shkollës.

Në emër të familjes ka folur djali i veprimtarit, Shkumbin Brestovci, i cili theksoi se Komuna e Gjilanit e ka bërë krenare jashtëzakonisht shumë familjen Brestovci, që një shkollë e tillë mbanë këtë emër ndërsa krenaria dhe gëzimi shtohet edhe më shumë kur kjo është një shkollë modern, e organizuar mirë dhe e radhitur lartë edhe për nga suksesi i nxënësve.

Dita e shkollës në këtë ditëlindje të shkollës dhe rilindje të veprimtarit Sadulla Brestovci, ka vazhduar programin e saj të pasur kulturo-artistik të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës.

 

 

You Might Also Like