OPINION

SHKELJA E RADHËS

Valentina Bunjaku-Rexhepi, deputete e Kuvendit të Kosovës

Avokati i Popullit e kishte paditur Senatin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për diskriminim me bazë moshën, për titullin e profesorit asistent. Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dhënë verdiktin e saj në vitin 2013, duke e definuar nenin 177 të këtij statuti, si nen antikushtetues dhe antiligjor, përkatësisht paragrafin 6 të këtij neni, që kufizon për titullin e profesorit asistent: “Kandidati i cili zgjidhet per here te pare, nuk duhet te jete me i vjeter se 50 vjet…” (Statuti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, faqet 49-50. Linku: https://www.uni-pr.edu/inc/doc/statuti1.pdf)

Kush janë përgjegjësit për shkeljen e radhës?

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Senati, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, si dhe Kuvendi i Kosovës janë përgjegjësit kryesorë.

Përgjegjësia, së pari bie në Senatin e Universitetit. Në faqen 14 të Statutit të UP-së, neni 48, paragrafi 1.1., dihet se cilat janë detyrat e Senatit: “Të aprovoj Statutin e Universitetit, të propozuar nga Këshilli drejtues…” Por nuk mbaron përgjegjësia vetëm te Senati. MASHT nuk ka arritur akoma të merr përgjegjësi të zbatojë Ligjin për Arsimin Parauniversitar, sepse me nenin 17 të këtij ligji, dihet saktësisht se kush dhe si propozohet përmbajtja e statutit: “1. Funksionimi dhe menaxhimi i bartësit publik të arsimit të lartë përcaktohet në statut të propozuar nga ana e Ministrisë dhe të miratuatr nga Kuvendi. Ky statut mund të ndryshohet në përputhje me dispozitat e tij dhe me pëlqimin e Ministrisë dhe miratimin nga ana e Kuvendit. 2. Statutet e të gjithë bartësve të tjerë dhe çdo ndryshim në to miratohen vetëm nga Ministria. 3. Statuti i çdo universiteti përmban dispozita që i japin Senatit apo një strukture të barasvlershme përgjegjësi kryesore për këshillim dhe vendimmarrje lidhur me çështje akademike, ku ndër anëtarët e këtij organi janë edhe përfaqësues të zgjedhur të stafit akademik dhe studentë . 4. Statuti i çdo bartësi publik të arsimit të lartë, garanton zhvillimin e konsultimeve për çështje akademike me personelin mësimor dhe me studentët.” (Ligji për Arsimin e Lartë, faqe 17) Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë, ndryshimi i statutit mund të bëhet me pëlqimin e Ministrisë dhe miratimin nga ana e Kuvendit, që i bie se MASHT nuk duhet të largohet nga përgjegjësia që nuk ka ndërmarrë asgjë lidhur me këtë shkelje. Po në të njëjtin nen, paragrafi 5 i Ligjit për Arsimin e Lartë, e shfuqizon nenin antikushtetues të kufizimit të moshës nga neni 177 i Statutit të UP-së. “5. Statuti i çdo bartësi të arsimit të lartë që merr fonde publike siguron zbatimin e parimeve të mëposhtme nga bartësi: 5.1. mundësi të barabarta për punësim dhe qasje të barabartë në studim e kërkim shkencor pa diskriminim…”

Pra, është diskriminim edhe me bazë moshën kalendarike dhe ky lloj diskriminimi quhet “eixhizëm”, ose dikriminim me bazë moshën. Unë si deputete do të kërkoj urgjentisht ndryshimin e Nenit antikushtetues 177 të Statutit të “Hasan Prishtinës”, qoftë duke e paraqitur në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe do të kërkoj ndryshimin edhe zyrtarisht të këtij neni antikushtetues në Kuvendin e Kosovës, sipas procedurave ligjore dhe konform obligimeve tona si deputete.

 

You Might Also Like