Teatër

Ramadan Kurti, një jetë kushtuar teatrit

Ka kaluar gati katër dekada në skenë dhe me shfaqjen “Një natë në hotel” ka arritur moshën e pensionimit, kurse publiku që ka mbushur sallën e Teatrit të Gjilanit i ka duartrokitur gjatë. Ramadan Kurti, aktor, ka mbërri moshën e pensionimit e bashkë me të muaj më parë këtë moshë e kishte mbërritur edhe aktori tjetër i Teatrit të Gjilanit, Jashar Shahiqi.

Dy doajenë të teatrit arritën moshën e pensionimit, por pas veti lanë gjenerata të reja aktorësh, të cilët mëtojnë të jenë zëvendësues të denjë të tyre.

Në shfaqjen e tij të fundit si aktor rezident i Teatrit të Gjilanit, Ramadan Kurti dhe kolegët e tij sërish kanë lënë mbresa të shkëlqyeshme, kurse pas përfundimit të shfaqjes, për aktorin Ramadan Kurti është bërë një përcjellje mbresëlënëse, ku shumë nga pjesëmarrësit nuk mundën të përmbahen nga emocionet.

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, ka theksuar se kjo nuk është përshëndetja e fundit me publikun e Ramadan Kurtit, por është vetëm një formalitet, ngase aktorët nuk dalin kurrë në pension. Kurtit i është ndarë një mirënjohje për kontributin e dhënë në mbajtjen gjallë të jetës kulturore e artistike në qytet, kurse atij i janë dhënë edhe shumë mirënjohje e dhurata nga aktorët, miqtë e tij e nga publiku.

Vetë aktori Ramadan Kurti, ka theksuar se porositë e mesazhet është mësuar që t’i jap në gjuhën e artit, andaj tha se a ka të vështirë sonte, por ka shtuar se prania e madhe e publikut ka dëshmuar se sa çmohet e nderohet puna e tij.

 

“Gëzohem shumë kur ju shoh të gjithëve të bashkuar, artistë, piktorë, politikanë e udhëheqës kulturorë, ngase gjithmonë kam pasur dëshirë që shqiptarët t’i shoh kështu, një grusht të bashkuar për liri e bashkim kombëtar”, ka thënë Kurti që ka falënderuar edhe kolegët e tij me të cilët ka punuar bashkë.

Aktori Ramdan Kurti, ka qenë shumë aktiv në jetën artistike e kulturore të Gjilanit, ai ka dhënë një kontribut të cmueshëm gjatë kohës së okupimit, në luftë e pas lufte, duke u gjetur kudo nëpër aktivitete, andaj ai me të drejtë është cilësuar aktor me merita të mëdha.

You Might Also Like