Futboll

Punë e vështirë për ekipet gjilanase

Dy klubet gjilanase do të kenë punë të vështirë këtë të diele, ngase ballafaqohen me ekipe shumë cilësore. Drita, që në xhiron e kaluar ka fituar një pikë si mysafire e Drenicës, nën drejtimin e kryetrajnerit Ismet Munishi për herë të parë luan në fushë të vet, por pikërisht në këtë ndeshje e pret një detyrë e vështirë, ngase përballë do të ketë Prishtinën, ekip që synim e ka titullin e kampionit. Prishtina që ka një ekip cilësor, nuk do t’a ketë lehtë përballë Dritës së motivuar me në krye Ismet Munishin që ka sjellë një frymë të re në ekip dhe me “Intelektualët” që janë lojtari i tyre i dymbëdhjetë. Gjermani Lutz Lindemann, ka paralajmëruar se në Gjilan vjen për fitore, por edhe në taborin e Dritës deklarohen se pikët u janë tejet të nevojshme, andaj do të luftojnë që të marrin gjah të plotë. Të gjitha këto zhvillime bëjnë që të pritet një lojë tejet cilësore, e cila gjithsesi se do t’i kënaq shikuesit, që pritet të jenë në numër si asnjëherë më parë.

Në anën tjetër, Gjilani pas fitores ndaj Hajvalisë në fushë të vet, kësaj radhe udhëton në Pejë, ku do të përballet me ekipin e përforcuar të Besës. Gjilanasit për dallim nga ndeshja e fundit që në fushë të vet e zhvilluan pa shikues, pritet që në Pejë të kenë përkrahjen e “Skifterëve”, që kanë paralajmëruar udhëtim të organizuar. Përparsi tjetër e gjilanasve është se Arbnor Morina shumë mirë e njeh ekipin e Besës, ngase para se të vinte në Gjilan pikërisht në këtë ekip ka qenë kryetrajner. Besa do të ketë përparësinë e terrenit vendas dhe do të kërkojë pikë të plota, ngase në fillim të kampionatit, pas përforcimeve të bëra ishte hequr si një ndër mëtuesit më të mëdhenj për titull, por doli se në disa ndeshje nuk e arsyetoi një epitet të tillë. Edhe kjo ndeshje pritet që të jetë ndër më tërheqëset të javës.

You Might Also Like