KRONIKË E ZEZË

Prokuroria në Gjilan ndal dy persona të dyshuar për veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’

 

Gjilan, 02 tetor 2019 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar dy (2) persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

 

Ekziston dyshimi i bazuar se, të dyshuarit Z.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019, në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019, të përkrahin dhe të votojnë Listën Serbe.

 

Të dyshuarit, fillimisht më 26 shtator 2019, kanë ushtruar presion tek i dëmtuari O.K., duke e futur në veturë kinse për t’a kontrolluar, pastaj e kanë kanosur përmes telefonit, në mënyrë që i njëjti t’iu bindej udhëzimeve të tyre.

 

Ndërsa, më 27 shtator 2019, të dyshuarit e lartshënuar, kanë vazhduar presionin ndaj të dëmtuarit S.K., në atë mënyrë që e fusin në veturën e tyre, kinse për të biseduar pavarësisht vullnetit të tij, deri atëherë kur i dëmtuari e shfrytëzon momentin kur vetura nuk ishte në lëvizje dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

 

Në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, dyshohet që për shkaqe politike, të dëmtuarës J.K., iu është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan dhe vendimi të njëjtës iu është dorëzuar më 30 shtator 2019.

 

Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, përpos deklaratave të të dëmtuarve – dëshmitarëve, posedon edhe prova tjera materiale (incizime telefonike, sms) dhe brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurve, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale.

You Might Also Like