Futboll

PRIORITETET DHE MËDYSHJET E KAHJEVE TË ZHVILLIMIT NË SPORTIN GJILANAS

Nehat   Shkruan: Nehat Osmani, ish-futbollist – nënkryetar i Qendrës së VV-së në Gjilan

Një ëndërr e jetësuar, e nisur qysh nga pavarësimi i sportit nga regjimi okupues serb nëpër livadhet dhe djerrinat e Kosovës nxorri në pah pathyeshmërinë e sportistëve ndër vite, besimin në mposhtjen e së pamundshmes që më në fund të kurorëzohej me një shpresë të madhe për shumë sportistë dhe të rinjë që të avancohen drejt sukseseve dhe arritjes së majeve europiane.

Rrjedhimisht përgjegjësitë e institucioneve tona sportive, politike dhe shtetërore në konstelacion të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në organizmat më të larta ndërkombëtare UEFA dhe FIFA shpiejnë drejt një përkushtimi dhe mobilizimi profesional në shumë fusha organizative dhe veprimtari sportive.

Duke filluar nga INFRASTRUKTURA sportive, fushave dhe tereneve futbollistike, INFRASTRUKTURA ligjore, kuadrove sportive dhe profesionalizimit të tyre, INFRASTRUKTURA organizative, klubeve futbollistike, licencimi dhe qëndrueshmëritë financiare të tyre dhe shumë veprimtarive tjera përcjellëse.

Në mes të nevojës imediate të përmirësimit të kushteve për futbollistët që përfaqësohen nga klubet e Gjilanit në raport me ambiciet dhe pretendimet legjitime të tyre për t’u përfaqësuar në elitën europiane, gadishmërisë së ministrisë së KRS-së për të alokuar mjete të konsideruara dedikuar renovimit të ambienteve të stadiumit furbollistik ekzistues si dhe nevojave reale të futbollistëve dhe qytetarëve të Gjilanit për një STADIUM TË RI NDËRKOMBËTAR, neve na duhet të vendosim disa argumente të fuqishme për INICIATIVËN e projektit të një STADIUMI TË RI në Gjilan në njërën anë si dhe MËDYSHJEVE të investimeve në renovimin e stadiumit ekzistues në anën tjetër.

PËRSE DO DUHEJ PËRKRAHUR INICIATIVËN PËR NDËRTIMIN E STADIUMIT TË RI NDËRKOMBËTAR ?

Gjilani ka epitetin “QYTETI I FUTBOLLIT” dhe duhet krijuar kushtet qe ai te identifikohet si i tille, si një aset i rëndësishëm i zhvillimit të qytetit në përgjithësi që do përfshinte edhe fushat tjera. Për këtë arsye projekti për një stadium të ri duhet ta gjej Gjilanin si pretendentin kryesor dhe të pakontestueshëm në prioritetet e agjendës së qeverisë së Kosovës si projekti i parë madhor që do përshkonte regjionin e Anamoravës në periudhën e pasluftës. E argumentet në favor të kësaj iniciative janë të shumta dhe të nduarndurshme:

JANË SPORTIVE dhe nga aspekti sportiv janë të pamohueshme.

1. Dy klubet e mëdha KF”Drita” e KF”Gjilani” janë potenciali që i japin imazhin identifikues federatës së futbollit dhe futbollit të Kosovës në përgjithësi dhe në raport me imazhet ndërkombëtare personifikojnë autenticitetin e Kosovës aktuale.

2. Grupet e tifozërive “Intelektualët” dhe “Skifterat” janë pasuria shpërthyese që justifikojnë mishërimin shpirtëror dhe përkushtimin njerëzor në mbështetjen dhe përkrahjen e idealeve dhe kauzave sportive dhe me kreativitetin e tyre paraqesin preambulën e amblemës sportive të Kosovës, dhe së fundmi

3. Qytetarët e Gjilanit janë refleksioni pozitiv i së mirës dhe së mundshmes që do kapitalizonte këtë godinë madhështore dhe do sendërtonte interesat e të gjithë qytetarëve të Komunës.

JANË GJEOSTRATEGJIKE –

1. Regjioni i Komunes së Gjilanit dhe i Anamoravës në përgjithësi përkufizohet dhe përmbushet nga dy komuna tjera, të Vitisë dhe Kamenicës si tërësi të pandara tregtare, ekonomike dhe farefisnore dhe në aspektin e shtrirjes gjeografike paraqesin ndër regjionet më të mëdha në Kosovë.

2. Regjioni i Anamoravës përkufizohet me dy shtete fqinjë dhe ka komunikim të pandarë të territorit dhe të popullsisë shqiptare që rrit ndjeshëm nevojën e një objekti kapital si stadiumi ndërkombëtar me interes edhe mbarshqiptar që do rriste dhe faktorizonte edhe mëtej faktorin shqiptar.

JANË POLITIKE

1. Regjioni i komunës së Gjilanit është regjioni më i anashkaluar i papërfshirë në ndonjërin nga projektet madhore të shtetit të Kosovës në periudhën e re të pas pavarësisë. Gjilani është regjioni që ka pësuar degradimin më të madh ekonomik si pasojë e politikave jo konsistente të politikë-bërjes dhe politikanëve që kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve të komunës së Gjilanit

2. Komuna e Gjilanit është regjioni më i goditur nga projektet e dështuara antishqiptare dhe me DECENTRALIZIMIN mbi baza etnike kanë përjetuar copëtimin e teritorit dhe ndarjen e popullsisë në mënyrë të panatyrshme, ndërsa me realizimin e këtij projekti madhor do ndikonte në centralizimin dhe homogjenizimin e popullatës të copëtuar padrejtësisht, ku do gjenin vend të përshtatshëm edhe adhuruesit fanatik, edhe gurmanët e lojës së bukur të futbollit përfshirë të tillë që udhëtojnë nga vise të largëta për të ndarë emocionet e një evenimenti të rrallë, edhe ata që së bashku me familje dëshirojnë të shijojnë adrenalinën e atmosferës dhe të lojës njëkohësisht.

PËRSE DO DUHEJ SHPREHUR MËDYSHJET PËR RENOVIMIN E STADIUMIT EKZISTUES ?

Para së gjithash për shkak se:

STADIUMI ËSHTË JOFUNKSIONAL

1. Stadiumi ekzistues është ndërtuar në fillet e viteve 70-ta dhe asokohe ka qenë një objekt i ndërtuar në periferinë e skajshme të qytetit dhe të pa urbanizuar. Në kohën e sotme Stadiumi gjindet në zonën më të populluar të qytetit e rrethuar dendur nga kompleksi shkollor i qytetit, vendbanime të stërngarkuara dhe pa ndonjë plan rregullimi, me infrastrukturë të munguar rrugore.

2. Objekti në konstelacion me shtrirjen e tribunave dhe me hapësirën e lirë rrethuese e pamundëson renovimin efikas dhe funksional.

SIGURIA E QYTETARËVE

1. ARTERIET e ngushta të lëvizjes drejt stadiumit dhe QASJET ngulfatëse hapësirave të stadiumit pamundësojnë lëvizjen e lirë dhe shpërndarjen e shpejtë të qytetarëve, njëkohësisht dhe ndarja fizike obliguese e tifozëve vënë në rrezik SIGURINË e shikuesve ndërsa evitimi i situatave eventuale eksecive do ishte vështirë i menaxhueshëm nga organet e sigurisë.

INVESTIME TË KOTA AFATSHKURTA

1. RENOVIME të tilla të ngjashme në stadiumin ekzistues ka patur edhe në të kaluarën përgjatë historisë së saj të cilat pas një periudhe të shkurtër janë kthyer në gjendjen zero pa ndonjë efekt pozitiv afatgjatë.

2. Në këtë kontekst edhe premtimet investuese në renovimin e stadiumit të qytetit me një shumë të konsideruar prej 598.000 € nga ministria RKS vë në dyshim arsyeshmërinë e derdhjes së mjeteve kaq të mëdha financiare për një objekt që tanimë është JASHTËFUNKSIONAL për shkak të infrastrukturës rrethuese ngulfatëse e lëre më pas 5 apo 10 e më shumë viteve të një zhvillimi të hovshëm të qytetit kur do jetë e kolapsuar qasja fizike dhe logjistike e një numri kaq të madh të tifozëve dhe sportdashësve të dy klubeve tona me renome.

3. Menaxhimi i pa justifikuar i parasë publike dhe buxhetit të qytetarëve do dëmtonte edhe më tepër jetën e qytetarit të varfër të Kosovës.

Të vetëdijshëm për reperkusionet e të dyjave solucione, të vetëdijshëm për përparësitë dhe mangësitë e të dyjave varianta, mbi të gjitha të vetëdijshëm për kohën dhe situatën e përgjithshme të popullit të Kosovës, por të bindur se ka ardhur koha të vendosen PRIORITETET në të mirë të sportistëve dhe të rinjëve pa dallim shprehim edhe këtë opinion.

RREZIKU DHE QËNDRUESHMËRIA INVESTUESE

Projekti i STADIUMIT TË RI NDËRKOMBËTAR do kishte KOSTON e saj financiare, do kishte dhe vështirësitë realizuese dhe implementuese të saj por do ia vlente sepse do kishte arsyeshmërinë ekonomike dhe do kishte përkrahjen e gjërë të komunitetit biznesor, qytetarëve të të gjitha shtresave dhe grupeve tjera të interesit të cilin nuk do ta elaborojmë kësaj here si dhe do kishte profitabilitetin menaxherial infrastrukturor ashtu sikur ndodh me të shumta objekte të tilla nëpër botë, gjë të cilën gjithashtu nuk do ta elaborojmë kësaj here, anipse për të gjitha këto aspekte do ia vlente dhe madje do ishte i domosdoshëm një debat i hapur i qytetarëve dhe ekspertëve të sportit, infrastrukturës e planifikimit hapësinor me interes për të ardhmen dhe perspektivën e qytetit tonë, brezave të ri, gjeneratave e pasardhësve të tyre si një VEPËR ARTI MONUMENTAL i përjetshëm.

Mungesa e një vizioni zhvillimor të infrastrukturës sportive për të ardhmen si një bazë dhe udhërrëfyes për themelet e një Gjilani të Ri dhe me një strategji të një qyteti modern i ndërtuar mbi një infrastrukturë të planifikuar dhe urbane si dhe synimi i shpërfilljes së mjeteve të qytetarëve pa një studim paraprak të infrastrukturës ekzistuese nga institucionet komunale dhe harmonizimit të gjendjes aktuale me planin dhe zhvillimin urban të qytetit shpeshherë mund të sjellë efekte kontraproduktive apo edhe dështime investive të karakterit afatshkurtër që nuk përmbushin interesat dhe pritjet e sportistëve dhe qytetarëve në përgjithësi dhe para së gjithash dëmtojnë buxhetin publik të qytetarëve.

Ngase një strategji vizionare e zhvillimit të qytetit me një stadium të ri të përmasave ndërkombëtare në pjesët periferike të qytetit, me një infrastrukturë paraprake rrugore të qasjes së gjithanshme do hapte perspektiva zhvillimore jo vetëm të sportit por edhe të gjithë qytetit në përgjithësi si dhe do ngriste kapacitete biznesore të qytetarëve të saj që do ndikonte në mirëqenien e një numri të konsideruar të qytetarëve të Gjilanit.

You Might Also Like