Libri

PORTRETIZIMI I ATDHEUT NË PËRJETIMIN AFRUES

Nexhat Rexha

Ahmet Osmani: “ Pulsim Yjesh”, Botoi, ShB.”Beqir Musliu”, 2016, fq. 66.

Libri me poezi “ Pulsim Yjesh”, i Ahmet Osmanit është koherent në vijimësi të punës së pandalshme artistike që vjen nga të katër anët e atdheut. Ai bashkëjeton me vendlindjen edhe pse fizikisht më shumë frymon larg saj. Mirëpo, bota shpirtërore e njeriut të fjalës së bukur artistike nuk e lë atë të qetë në brendi të shpirtit. Muza poetike ngacmon të gjitha poret e botës së tij, andaj ajo gjakon bashkë me të në të gjitha pikat e ndjeshme që ndjen e bashkëjeton për të gjitha frymëmarrjet e kohëve.

Në këtë bashkudhëtim vjen edhe poezia e këtij vëllimi poetik, e cila ka impulset e saja që karakterizojnë trokitjet e zemrës së autorit nëpër vlimet e ngjarjeve në vendlindjen e tij. Vepra ndahet në tri cikle: “Vëllim dr

ite”,” Nën ritmet e ëmbla” dhe “Shpirt njeriu”, ato karakterizojnë momente e trazime shpirtërore të aktualitetit të ndryshëm.

Në këto ndarje, autori ka ndërlidhur kohët, dhembjet, dashurinë si dhe ka aktualizuar ecjen më funksionale për gjeneratat e ardhme. Nëpër këto veprime kohësh jeta ka krijuar nyje nga më të ndryshmet, ato jo vetëm që kanë ngadalësuar proceset kombëtare, por ato edhe kanë kthyer prapa perspektivën, sepse me dhunë janë marrë pjesë të trungut tonë, siç përshkruan autori në poezinë: ”Molla e Kuqe”, e në të cilën kemi dhembjet e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga ajo pikë e dalluar e autoktonisë shqiptare. Në poezitë e këtij cikli dominojnë dhembjet dhe plagët e të kaluarës, por ai gjen pika të daljes nga këto plagë të shekullit të kaluar, duke besuar se e ardhmja është në zërin e ndërgjegjes, si në poezinë: “Zëra pranvere”. Autori beson të ardhmen e vendit tonë me begati pranverore, çka do të thotë se sunduesve ia ndërprenë mundësitë për të pushtuar edhe më tej vendin tonë.

Kurbeti i ka momentet e dallueshme nga jeta e njeriut jo kurbetçar, vetë pikëtakimet e njeriut nëpër udhëtime krijojnë skena më ndryshe, sepse lotët pikojnë e vijnë në vende të ndryshme, aty kur jeta krijon pamjet e shtegtimeve nga më absurdet. Aterimet e aeroplanëve krijojnë gëzimet e dhembjet e veta, valixhja e njeriut kurbetçar bredhëron, në shumë pikëtakime me njerëz të racave te ndryshme, e dashuria për atdheun frymon më afrueshëm jetën, apo siç thotë ai: “Lotët e këngëve kthyer në vajë”. Poezia e këtij cikli ndërlidh edhe dy ciklet tjera, të cilët kanë bashkëfrymëmarrjen e titullit të librit “ Pulsim Yjesh”.

Ndarjet e ditëve e të jetës kanë edhe ritmet e ndryshme, e këto ritme vijnë me lehtësi e dashuri në ciklin e dytë ” Nën ritme të ëmbla”, poezitë e kësaj pjese vijnë me tonalitet më të lirë, sepse vetë dashuria kërkon e krijon muzikalitetin shpirtëror më qetësues, ajo ambienton njeriun brenda zjarrit edhe kur ngrohtësia pushton botën e të dashuruarve, e bashkë me këtë zjarr vijnë edhe shpresat, rizgjohen pamjet e dritës për jetë. Në poezinë “Kah do të vish ti”, poeti brengoset dhe trason rrugën për ardhjen e dashurisë, ai jep këshillën, e ndriçon rrugën e ardhjes për takimin e dashurisë , si në vargjet:” Zemra le të qeshë për ty/ derisa hapi yt terrin largon”

. Në këtë cikël, autori lidh vitet me dashuri, ani pse ato ikën, por njëkohësisht jeta ruan kujtime dhe ato rizgjohen e rikthejnë njeriun në të gjitha kohët. Këto pika idilike janë intimitete, por janë edhe universale për njerëzimin, ato i përngjajnë pikturës me koloritin e ngjyrave dhe ruajnë në brendi edhe melodinë e krismave të saj.

Në ciklin e tretë, autori koordinon kërkesat nga dy ciklet e para dhe sikur këtu artikulon më shumë kërkesat e tij me zë më qortues, ai depërton më në thellësi të shpirtit. Kërkesat janë pika më të trazuara, sepse shpirti i tij ka edhe pikëpamjet e përditshmërisë evropiane, kështu, ai beson në njeriun e tij. Dallgët e jetës kanë edhe lundrimet nga më të ndryshmet, mirëpo, ai beson dhe kërkon ndryshimin e shoqërisë shqiptare për arritje më pozitive. Sipas autorit ato janë të mundshme, arsyet janë funksionale dhe bindëse, puna dhe qëndrimi i njeriut tonë ka krahasimet e veta për ngritjen e rezultateve të punës. Autori lidh të kaluarën dhe të sotmen e njeriut të tij, ai sjell progresivitetin kudo që vepron për të. Mirëpo, njëkohësisht brenga e tij është e madhe për të sotmen që po e përjeton njeriu i vendit tonë, kjo brengë vjen për të ndryshuar gjendjen, ai kërkon më shumë shtigje, me bindje se ato mund të tejkalohen. Këto ide e parashtrime autori na jep në poezinë: “Mes ëndrrash pa shteg”. Poezia shfaq brengosjen, duke parashtruar kërkesën zgjidhje, pse na mungojnë kokat udhëheqëse për kombin tonë ?. Në këto parashtrime artistike autori ka ngjeshur idenë dhe mesazhin e konkretizon artistikisht, duke i dhënë poezisë së tij të mundshmen intime e të nevojshme, e cila unifikon vargun poetik të librit si tërësi.

Vëllimi poetik “Pulsim Yjesh” i Ahmet Osmanit ruan në kontinuitet korelacionin e preokupimit artistik, duke krijuar gjithnjë evoluim artistik si dhe në brendi shpreh dallimin e momenteve gjatë zhvillimit të proceseve aktuale në hapësirën autoktone. Poezia e Ahmet Osmanit ka arsyeshmërinë modifikuese në krijimin e vargut, si artikulim e bartje të karakterit shoqëror në planin tematik e individual. Ai depërton nëpër të ndodhurat e shoqërisë shqiptare, për të shënuar diktatet e kohëve. Vargu i këtij vëllimi ka ruajtur frymën e strukturimit që nga fillimi e këndej. Krijimi i figurës ka mbështetje modalitetin e sentencës etike, me synim që edukativja të jetë pulsim për njeriun tonë. Në realitet poezia e Ahmetit pasqyron ngjarje të ndodhive kombëtare, të cilat sa ruajnë pikëpamjet historike, aq më shumë ndriçojnë e ruajnë dashurinë me kujdesin e njeriut që bartë me vete fatin e kulturës sonë.

Nëpër këto gjurmë të kohërave kalojnë fatet e njerëzve të dalluar, e këto fate sa të asimiluara kanë mbështetjen në topografrafinë e atdheut tonë, sepse ajo sa ngushtohet, e arrin të mbijetojë. Në këtë kontekst të rrjedhës së ngjarjeve, ai të rikthen tek rrënjët në lashtësi dhe ato sikur diktojnë udhën e të ardhmes për një unifikim sa më racional e më konkretizues. Me vargun sa racional, po aq edhe konkretizues krijimet poetike arrijnë efektshmërinë e nevojshme tek lexuesi. Mesazhi i librit prek esencën e pikësynimit të autorit, sepse situatat ekstreme që po ndodhin në shoqërinë e fatin shqiptar janë dhembje e dashuri kohësh. Persiatjet e autorit në librin “Pulsim Yjesh”karakterizojnë e ruajnë aktualen me gjuhë të qartë artistike, si dhe funksionalizojnë ëndrrat e dhembjeve të gjata në trajtimet lirike, të poezisë si tërësi e koncept artistik në këtë vëllim . Në shikueshmërinë përjetuese Ahmet Osmani, ka dhënë portretizimin e të gjitha pikëshikimeve të jashtme dhe të brendshme të tija për atdheun, duke shpalosur me mall e dashuri mungesën edhe nga largësia. Ai ka afruar fjalën në shkëlqimin e saj artistik, me refleksionin dallues për lexuesin. Libri ngërthen e ruan në brendi artikulimin e pranueshëm në sistemim të vlerës sa më estetike të saj.

You Might Also Like