Libri

POEZI QË BEGATOJNË NDJENJËN E DASHURISË

Sherafedin KADRIU

POEZI QË BEGATOJNË NDJENJËN E DASHURISË

( Persiatje për librin më të ri poetik të Linditë Ramushit – Dushkut, ASHT GUSHT, Prishtinë 2019 )

Poezitë e vëllimit poetik Âsht gusht, të Lindita Ramushit-Dushkut, që është vëllimi i tretë me radhë i kësaj autoreje, paraqesin një tip poezish, në të cilat ndërlikimi është në funksion të çlirimit shpirtëror, e jo të maskimit, që për ne ka rëndësi të potencohet. Prandaj, nuk mendoj se duhet lexues ekzoterik për të kuptuar sekretin poetik të Linditës, që nuk është tjetër, pos ngulmim dashuror, për të cilin, poetja nuk mund të flasë, apo ndoshta nuk do të flasë për atë që di, por flet për atë që do. Të kësaj natyre janë poezitë e ciklit të parë, S’due me të tregu për andrrat që ia kallxoj vetit e pasqyrës dhe ato të ciklit të dytë, Ti s’e di që sytë e hanes janë t’fshehun .
Të baresësh rreth ngulmimeve dashurore të kësaj poezie, do të thotë të përjetosh çaste afrie, pa përpjekje për të modeluar sfondin e perspektivës sepse poezia e Linditës është nga ato poezi që dashurinë e shijojnë të thuash pa dhembje, dhe si e tillë ajo ia merr mendjen subjektit lirik, prandaj vetë dashuria sikur e çliron. Pra, duke ndjerë gëzimin, jo nga copëza dashurie, po një dashuri me plotëni, e ka tejflakur makthin dhe ia ka shtruar shtratin të nesërmes për të nesërmen:

I dashtun
Kësaj nate
I përulem dashnisë
Zhveshun
Pa fustan të zbukuruem
M’ra n’qafë e bekuemja dashni

Kjo temë, ç’është e vërteta, ani pse e rrahur sa e sa herë nga autorë të ndryshëm, megjithatë, secilën herë kur paraqitet, është ngjarje e re, është përvojë e re, është kuptim i ri, e sidomos kur shtrohet nga poli tjetër gjinor.
Dhe, ndoshta mu për këtë, pra për përvojën ndryshe të shtresëzuar në varg, kurioziteti shtohet edhe më… për të ndjekur ngarendjet e dashnisë, ashtu siç nis në natën e parë, si ajo era që shpërndan aromën/që e çon piskamen pas çdo veshi. Kështu bëhet dashnia kur puthet shikimi në sytë e saj! Sepse poetja e ka thënë tashmë atë që do:

Kur shtrihesh në barkun tem
E shtrëngohesh krahnorit
Shkrihesh
Si bora e parë n’tokën e nxehtë
T’para dimnit.
Kur çelem si trandofil

A është ky akt i dramatizuar, a është ndjenjë e stërholluar, a në mos janë ngjizur akti e ndjenja, e kanë shpërfaqur lirikën e vargut poetik, vështirë të përndahet.
Nuk ka dashni pa frikë për tradhtinë, të mundshme natyrisht, bile mu në pozita të tilla krijohet ndjenja përtej gëzimit, lumturia. Po për këtë, subjekti lirik do t’ia tregojë atij dhe botës betimin se dashnia ruhet në kasafortë nusnie, në këtë llaf të gjyshes, në mos më mirë se kasaforta e motit të vjetër/veshjen e dashnisë e ruan ylli ma i zjarrtë që shkruan për lojnat tona. Kështu flet zëri tjetër. Pas kësaj, nuk i mbetet tjetër poetes, pos të përsëritet ndjeshëm:

Ti je fryma e parë n’shpirtin tem plot ngjyra.
….
Si herën e parë kur kam fillue me të dashtë

Kam dashtë

Për ta trashëzuar edhe më kushtimin dhe veprimin dashuror, në ciklin e dytë Ti s’e di që sytë e hanes janë t’fshehun, vjen vargu në trajtë himni se unë kam besue çikninë n’diellin tand t’parë/t’hanes hirnueme argjendi (Drita jem). Prandaj poetja i është kthyer mëdyshjeve para shtrirjes, me kërkesat si aman e duman, atij që kur i përmendet emri, ajo dridhet e mushknitë i pëlcasin/ tu e nxjerrë krejt ajrin jashtë/me ngutje/me marrë ajër të ri. Dhe, dëgjoje çfarë i kërkon:

A mundem veç me zanin tand me fol
Jo me ty,
Sonte
Me fol me zanin tand
Ai me m’i tregu
T’fshehtat
E unë me ditë ku shtrihna

Brenda teje

Një botë që vjen e ngjeshur emocionesh të shpërfaqura guximshëm nëpërmjet femrës që guxon të flasë për vete, për ndjenjat e saj, për trupin e saj… , ndjeshëm të rreshton në krah të gjinisë së bukur, për të ecur jetës si unitet i të kundërtave, si dialektika Hegeliane me femrën e të gjitha kohëve, si nënë, si grua, apo si dashnore të portretizuar me një gradacion human, që:

Është si moti
E brishtë,
E ashpër
E dobët
E njomë
Dridhet si purtekë.

Ni gruaje

Ama, kësaj gruaje “i duhen njëqind palë mend” në secilën kohë, kurdo qoftë pra, se sfidat sprovë e kanë dëshmuar. Mbase poetja do të thoshte për këtë këshillë nga gjyshja se pajtohet me këtë gjykim, se çfarëdo arritje profesionale pastë e çfarëdo pozite në shoqëri, gruas iu dashkan “njëqind palë mend”. Dhe, për ta sfiduar kundërshtinë, llojin e sojin e së keqes, ka vetëm një sekuencë jete, kur ajo e mund botën: vetëm kur është e dashuruar se edhe vetë mundet nga dashuria. Duket se ka një luftë ndërmjet të resë dhe të vjetrës që del në plan si mbamendje dhe këshille njëkohësisht. Gruas që në çdo rast “i duhen një qind palë mend”, është sfiduar nga vetë poetja që flet guximshëm për gjithçka që ajo do:

Krejt t’i rrëfeva
Si psallme
Për t’diellën e bekueme
T’i kallxova krejt rremat e zemrës sikur numërohen gishtat e dorës
Deri te llafi i gjyshes t’i thashë

Me u djeg amel.

Si të tilla, këto poezi begatojnë ndjenjën e dashurisë. Janë lirika paksa të dramatizuara në vetvete, interpretimi i të cilave, parë në kuptimin e kornizës konceptuale, nënkupton dritësimin e ngjarjeve, të asaj qendre që duket e palëvizshme, por që vepron dhe krijon çaste lirike, çaste afrie, që i zbulon përvoja nëpërmjet idesh tematike e filozofike.
Dhe, natyrshëm që në këtë kontekst lind pyetja: Nëse poetja sjell vetëm reflekse në lirikën e saj, apo mendim poetik?
Poezia e Linditës duke qenë kryesisht intime, përmblidhet në poetikën metaforike që ndërtohet në një gegërishte, ku standardi shprehës përcillet në variante të të folmeve, p.sh. në të njëjtën poezi hasim ni, nji, një. Megjithatë, kjo hapësirë gjeografike lëvizëse është konceptuar si shtegu më i përshtatshëm për hapësirën lirike të realizimit të botëkuptimit të subjektit lirik, që në poezitë e Linditës vjen si shprehje e shpirtit poetik, e që sipas I. Rugovës, do të thoshim se vjen si ekuivalencë e komunikuar e shpirtit të njeriut, pra individit. Si e tillë vepra e Linditës, orvatet të ofrojë perspektivë, me ndjenjën se cilado e folme e gegërishtes shenjëzon shtresat e presionit letrar si dhe sekretet i vesh më mirë me poetikë.
Në këtë situatë rikthimesh të qëllimshme, shtrohet pyetja: si, sa dhe nga kush mund të absorbohet poezia e Linditës, sot dhe nesër?
Nuk është e lehtë të jepet një përgjigje e vlerë në këtë pyetje, që në pamje të parë duket e zakonshme, ndoshta pse bota e gufimeve njerëzore dhe poetike ka një synim që vlerësuesi nuk ka të drejtë ta korrigjojë. Duhet t’i mbetet kohës për ta dhënë përgjigjen më të mirë dhe më të drejtë njëkohësisht. Me pakëz guxim, do të nxirrnim një konkluzion mbase jashtë letrar, se i tillë do të perceptohet nga një vështrim i ngutshëm lexuesi: Poezia e Linditës është vetë jeta e saj: mes gegërishtes çiknore dhe toskërishtes nusërore.
Cikli i tretë Bahem pasqyrë me i rujt rr’fimet tua t’ vjetra, rikthen bubullimat e luftës shkatërrimtare të vitit 1998-99. Nis me poezinë N’prill s’kanë çel lulet kurr ma, kushtuar gjyshit, të cilin paramilitarët serbë e masakruan në Llashticë, për të vazhduar rrugën e dritnimit me takimin në andërr, në ato ditë gushti pa erë e pa shi, kur gjithçka ngushtohet n’gusht, për t’i bërë vend vjeshtës që vjen me dy ngjyra të kuqrremta që bëhen të ndezuna (Dashni n’vjeshtë).
Po të shpreheshim me gjuhën e arkeologjisë, kujtojmë që ky cikël për nga përmbajtja do duhej t’u printe dy të tjerëve në këtë vëllim poetik vërtet të arrirë, përpos poezisë së fundit Dashnia ka dekë, që më përpara flet për një dashuri njerëzore që po shkon drejt shkymjes e askush s’asht ka e di. Kot që dikush flet për pragmatizmin e kohës së re, – njeriu pa dashuri tjetërsohet. E kur tjetërsohet, bota tij zbraz traditën e mirë…
Këto janë disa nga manifestimet e shumta të tekstit poetik të poezisë së Linditës që shfaqin një fuqi besueshmërie veprimi nëpërmjet imazhesh si njësi përmbajtjesh të natyrshme. Ky vëllim poetik ka një strukturë kompakte tematike, për çfarë autoren e vendos në kampin e poetëve të angazhuar me një vizion artistik që po përsoset nga vepra në vepër. Sidomos strukturimi i vargjeve të kësaj përmbledhjeje me një sistem të qëndrueshëm të tekstit poetik, paraqet një unitet stilistik, me një tërësi unike që funksionon nëpërmjet sinjalesh kuptimore.
Në fund, do të thoshim se të interpretosh cilëndo poezi, edhe këtë të kësaj poeteje, nuk do të thotë të rrëfesh domethënien formale të poezisë, përkundrazi, të vësh në pah marrëdhëniet e saj me përvojën letrare, për aq sa ke njohuri, që në një farë mënyre, i bie të identifikosh kuptimin analogjik të poezisë a të veprës në tërësi. Në këtë kontekst duhet parë edhe pavarësinë time nga arti edhe pse vetë shkrimi ka objekt a lëndë vështrimi tekstin poetik të këtij libri.

You Might Also Like