Libri

PËRGATITJA E POPULLATËS SË GJILANIT PËR LUFTË MBROJTËSE NDAJ SULMEVE SERBE MË 1912

Enver Sadiku

 

Në fund të vitit 1912, shqiptarët që ishin të lodhur nga luftërat e vazhdueshme ndaj Perandorisë Osmane, ndodheshin para një rreziku të ri, mësymjes së forcave serbe ndaj tokave të tyre. Të vetëdijshëm për përgatitjet serbe për të sulmuar Vilajetin e Kosovës, popullata e Gjilanit me rrethinë, nisi përgatitjet për një luftë mbrojtëse nga një pushtim i ri, këtë radhë nga vendi fqinj, Serbia. Udhëheqja e Gjilanit e dinte se vendi duhet mbrojtur në kufi, andaj u ndërmorën masat për mbrojtjen e kufirit e kështu ishin marrë vesh edhe në takimin e Shkupit për organizimin e vullnetarëve për të mbrojtur vendin nga sulmet serbe. Trevës së Gjilanit me rrethinë, që bënte pjesë ndër territoret lindore të banuara me shqiptarë i ra që ndër të parët të nis organizimin për luftë mbrojtëse si dhe përgatitjen e popullsisë për operacione luftarake.

Këshilli i Gjilanit, që ishte formuar pas hyrjes së forcave kryengritëse në qytet, duke parë se situata ishte shumë serioze dhe se ndodhej para një rreziku të madh, mori edhe masa për të përgatitur popullsinë. Një nga masat e marra ishte edhe pajtimi i ngatërresave e hasmërive në gjithë Kazanë e Gjilanit. Nga fundi i shtatorit të vitit 1912 u mbajt edhe një kuvend i gjithë prijësve të kazasë, në të cilin u lidh besa për ndërprerjen e hakmarrjeve dhe faljen e gjaqeve. Në kazanë e Gjilanit, për sigurimin e besës u zgjodhën katër njerëz të shquar të kësaj ane: Idriz Seferi për Karadak, Ahmet Aga i Myftisë nga Sllatina dhe Tahir Budrika për Moravën e Epërme, si dhe Murat Bilalli nga Bresalci për Moravën e Poshtme.[1]

Krerët shqiptarë kishin paraparë se trojet e tyre duhej mbrojtur në kufi, andaj para mësymjes në kufi në një tubim, i cili u mbajt te Kulla e Sahatit në Gjilan, pati shumë vullnetarë të gatshëm për të luftuar në mbrojtje të vendit. Idriz Seferi, në krye të vullnetarëve shqiptarë, duhej të mbronte kufirin në pjesën veriore të Kazasë, ndërsa Salih Aga me 3.000 vullnetarë të Preshevës e të tjerë kufirin në Ristofc. Idriz Seferi, që morri përsipër organizmin e forcave vullnetare në Zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut ia arriti të grumbullojë rreth 6.000 luftëtarë.[2] Këto ditë gazeta e Kajros ”Al-Mahrusa”, kishte botuar lajmin se Idriz Seferi, komandant i shquar shqiptar, ka vendosur që në krye të 6.000 luftëtarëve shqiptarë të marshojë në kufirin serb.[3] Se shqiptarët kanë vendosur të marshojnë në kufi dhe se atyre do t’u prijë Idriz Seferi raportonte edhe gazeta “Le temps”, sipas së cilës shqiptarët kanë vendosur t’u kundërvihen sllavëve.[4]

Forcat mbrojtëse kishin marrë detyra që duhej t’i realizonin në dy drejtime, në eliminimin e ngatërresave në mes të shqiptarëve dhe në furnizimin me armë dhe të holla, për të cilat kishte nevojë kryengritja.[5] Përgatitje për luftë po bënte edhe Perandoria Osmane. Më 4 tetor të vitit 1912, sulltani u bëri thirrje të gjithë myslimanëve prej moshës 15- vjeçare, deri në atë 70- vjeçare, të bashkohen, siç thoshte ai,  në mbrojtjen e islamizmit dhe pas pesë ditësh urdhërohet mobilizimi i shqiptarëve dhe të bëhen vendet e tubimit në Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj e në qytete të tjera e pastaj fillon formimi i batalioneve të redifëve.[6]

Thirrjes për mobilizim që e kishte bërë ushtria osmane nuk i ishin përgjigjur të krishterët, e njëjtë kishin vepruar edhe shqiptarët, të cilët nuk donin të shkonin larg shtëpive të tyre.[7] Në Gjilan, osmanët ia kishin dalë të formojnë një aradhe për të mbrojtur drejtimet nëpër Karadak, me pesë batalione të redifëve.[8] Faktorët që ndikuan që shqiptarët të mos i përgjigjen thirrjes së Perandorisë Osmane janë të shumtë, por një më i rëndësishmi pa dyshim se ishte ai që shqiptarët një kohë të gjatë luftuan kundër Perandorisë Osmane, për liri e pavarësi. Ata nuk ishin në këto momente për mbrojtjen e Perandorisë Osmane nga shkatërrimi dhe se këto territore kurrë nuk i kanë konsideruar të Perandorisë Osmane, por të vetat. Për këtë më së miri flet rezistenca e përhershme e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane e posaçërisht luftërat e viteve 1908 – 1912 që ishte e mbushur me kryengritje të pandërprera.[9]

Atdhetarët shqiptarë organizuan mbledhjen në Shkup më 14 tetor 1912 me qëllim që disi të sigurohej tërësia e territoreve shqiptare. Në atë mbledhje u formua Komiteti Shqiptar me emrin “Shpëtimi”. Mbledhje të ngjashme u mbajtën në Pejë e Gjakovë e një mbledhje e tillë u mbajt edhe në Gjilan. Të gjitha këto mbledhje patën për qëllim që t’ia bëjnë botës me dije se shqiptarët po i rroknin armët për të mbrojtur tokat e tyre, e jo për ta mbrojtur Perandorinë Osmane.[10] Perandoria Osmane, që nuk ia arriti të mobilizojë numër të madh të qytetarëve, mbrojtjen e Kosovës gati në tërësi iu la shqiptarëve, ndërsa ato njësi osmane që ndodheshin në Prishtinë e Mitrovicë u dërguan kah Shkupi.[11]

Në Gjilan e rrethinë, Idriz Seferi ishte i njohur me qëllimet pushtuese të Serbisë, duke deklaruar se Serbia nuk po e mbante fjalën e dhënë, andaj tani kishte nisur përgatitjet e ngutshme për të luftuar kundër Serbisë. Ai pas një mbledhje të shkurtër në Gjilan arriti të grumbullojë shumë vullnetarë, të cilëve në rrugë për në kufi, në Svircë iu bashkëngjitën edhe shumë vullnetarë të tjerë.[12] Shumica e vullnetarëve që kishin ardhur në Svircë për të mbrojtur kufirin ishin nga ana e Moravës e sidomos nga Karadaku e figurë më e dalluar ndër ta ishte Idriz Seferi, paraqitjen e të cilit e paralajmëroi boria.[13]

Në Gjilan, Perandoria Osmane kishte një njësi të veçantë për mbrojtjen e kalimit nëpër Karadak të përbërë nga pesë batalione redife. Osmanët në këtë pjesë nuk kishin trupa të rregullta, përpos njësive të kufirit dhe 4000 mijë shqiptarëve, të shpërndarë në rajonet: Lisicë (rreth 1000), Svircë (800), Çuka e Novakut (200), Svircë Teper (200), Velegllavë (400) dhe të tjerët në Gjilan, rreth 1400. Pra, forcat osmane kishin rreth 16 – 18 mijë njerëz dhe 18 topa, derisa Armata e Tretë që po mësynte këto anë kishte 70 mijë njerëz dhe 96 topa.[14] Duke ditur numrin e ushtarëve dhe të artilerisë del se ato ishin më në numër te forcat serbe në raportin 4:1, në të mirë të ushtrisë serbe në këmbësori, kurse në artileri 5:1 në të mirë të Armatës së Tretë të ushtrisë serbe.[15]

Rreziku për pushtimin e trojeve të tyre ka bërë që shqiptarët të mobilizohen e rrethi i Gjilanit, që ishte ndër territoret më në lindje të banuar me shqiptarë u desh që ndër të parët të dalin në mbrojtje të kufirit. Në krye të vullnetarëve shqiptarë të rrethit të Gjilanit është vu Idriz Seferi, i cili arriti të grumbullojë rreth 6000 vullnetarë e të cilëve u ishin bashkëngjitur edhe vullnetarë të tjerë nga fshatrat kufitare. Përgatitje për luftë, me forca dukshëm më të mëdha dhe me armatimin më modern të kohës kishte bërë edhe Ushtria Serbe, e cila kishte organizuar një mobilizim të përgjithshëm.

 

Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913” i autorit Enver Sadiku

[1] Selmani, A., Gjilani…, f. 269.

[2] Historia e Popullit Shqiptar-II…, f. 506; Selmani, A., Gjilani…, f. 269; Terziu, H. 2005. Gjenocidi serb 1912 – 1956, Prishtinë, 2005, f. 28.

[3] Selmani, A., Gjilani..., f. 275 – 276.

[4] “Le temps”. 15.10. 1912. f. 2.

[5] Latifi, H. dhe Sermoxhaj, H. 2002. Hogoshti (monografi). Prishtinë: Grafoprint, f. 24 – 25.

[6] Први Балкнаски Рат, c. 417.

[7] Ратковић, Б. 1997. Ослободјење Косова и Метохије 1912. Београд; Tetpa, c. 47.

[8] Arkiv Vojnog Istorijskog Instituta, Kutija VIII, br. 2, Izveštaj iz Gnjilana, 14.10.1912. godine.

[9] Rushiti, L. Rrethanat…, f. 16.

[10] Brestovci S., art. i përm., f. 13.

[11] Први Балкански Рат, c. 419.

[12] Brestovci, S., art. i përm., f. 13.

[13] ASHK, Fondi i Sadullah Brestovcit, nr. i inv. 29, fasc.1 (Kujtime nga Osman aga Biçku (1885) nga Hogoshti (7.XI.1969).

[14] Ратковић, Б., vep. e përm., f. 71-72.

[15] Rushiti, L., Rrethanat… f. 16.

You Might Also Like