Arti pamor

Përfundon ceremonia e diplomimit në shkollën e artit pamor Gjilan

Roland Masurica, drejtor

10 korrik 2019 Sot në Shkollën e artit pamor “Adem Kastrati”, për herë të parë, është organizuar ceremonia e diplomimit të maturantëve të kësaj shkolle. Nazim Gagica, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, ka vlerësuar lartë punën e drejtorisë së shkollës për organizimin e kësaj ceremonie, e cila, sipas tij, referuar shembullit të shkollës sonë, nga viti i ardhshëm, mund të bëhet praktikë për të gjitha shkollat e mesme të komunës. “Kjo ceremoni e diplomimit, është fryt edhe i punës suaj, të dashur nxënës, të cilën punë ju do ta vazhdoni edhe më tutje, duke arritur suksese të tjera në fushën për të cilën keni mësuar gjatë këtyre tri viteve të shkollimit”, ka shtuar Gagica. Ndërsa Shpresa Kurteshi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ka përcjellë përshëndetje për nxënësit e diplomuar edhe nga kryetari i komunës, Lutfi Haziri. “Kështu me këtë veshje uroj t’ju shohim edhe në raste të tjera. Arritjet tuaja janë krenari për secilin prej nesh pasi, jo pa qëllim, thuhet se ju të rinjtë jeni e ardhmja e këtij vendit”, ka shtuar ajo. Para, nxënësve, profesorëve, prindërve dhe të pranishmëve të tjerë, ka folur edhe Roland Masurica, drejtor i shkollës së Artit pamor “Adem Kastrati”. Ai ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit për punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve si dhe për angazhimin e tyre në organizimin e kësaj ceremonie, e cila është konkretizim edhe i arritjeve që kanë shënuar këta nxënës gjatë shkollimit të tyre këtu. “Këta nxënës tani do të mund të vazhdojnë studimet me një bazë të fuqishme që kanë marrë këtu, mësim ky që do të jetë i rëndësishëm për ta”, ka thënë ai duke u uruar suksese edhe në vazhdim. Në fund të gjithë nxënësve që kanë mbaruar klasën e XII-të u janë ndarë diplomat dhe është bërë një fotografi e përbashkët me ta.

You Might Also Like