LAJME

Për një zgjidhje afatgjate dhe me sa më pak dhimbje

Në opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën është shpërfaqur me të madhe. Ky opinion është ndarë në dysh, ngase të atillë që çfarëdo marrëveshje me Serbinë e shohin të dyshimtë dhe me pasoja, ndërkohë që ata më optimistët, anë në të cilën qëndron edhe presidenti Hashim Thaçi,  një gjë të tillë e shohin sit ë mundshme dhe pikërisht tashti është koha.

Tahir Dalipi, veprimtar nga Lugina e Preshevës, thotë t’a ketë pritur një zhvillim të tillë dhe të mos e ketë befasuar aktualizimi i mundësisë së bashkimit. Ai ka rikujtuar referendumin në Luginë të Preshevës për bashkim me Kosovën, të cilit në fillim i ishte bërë rezistencë dhe që ishte vlerësuar si veprim me pasoja, por që më vonë ai u pranua dhe e përqafua.

“Në rrethanat e sotme kemi ardhur në një fazë e pozitë ku po duken mundësitë e një marrëveshje shqiptaro-serbe që do të mundësonte një qetësim të kësaj pjese të rajonit dhe kësaj nuk duhet t’i frikohemi”, ka theksuar Dalipi, që gjithashtu ka shtuar se në marrëdhëniet ndërkombëtare marrëveshjet e fuqive të mëdha zakonisht bëhen pa i pyetur ata që i mbajnë nën sqetull. Ai e sheh si shqetësues qëndrimin jo të njëjtë të Gjermanisë dhe SHBA-ve, ndërkohë që edhe tek skena politike kosovare ka zëra për dhe kundër, shtyrje me fjalë e veprime të tjera.

Tahir Dalipi nuk e sheh si jorelevant faktorin politik vendor, duke thënë se nganjëherë vetja na duket se jemi të vegjël, por që me një kreativitet dhe me lënie anash të fërkimeve, ndoshta do të duhej të përgatiteshim drejt një veprimi kreativ. Krejt këto veprime do të duhej të mundësonin një zgjidhje afatgjate dhe me sa më pak dhimbje.

You Might Also Like