Zgjedhjet 2019

PDK e bindur në fitore

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, në tubimin zgjedhor të PDK-së në Gjilan, tha se do të kemi fitore të madhe më 11 qershor, duke iu referuar asaj se në fundvit do të kemi edhe zgjedhje lokale, shtoi se në Gjilan, në nëntorin e madh, do të ketë edhe një fitore të madhe të PDK-së, Gjilani do të jetë i PDK-së.

Ai tha se Fillimi i ri, koncept i PDK-së, është Kosova jonë perëndimore, Kosova jonë e zhvilluar ekonomikisht, Kosova jonë me një sovranitet të fuqishëm politik, Kosova jonë me një partneritet të fuqishëm strategjik me SHBA dhe partnerët tanë perëndimor.

Veseli ka thënë se Fillimi i ri është garanca e këtij sovraniteti që askush mos guxoj ta cenojë, e në të njëjtë kohë është garanca e partneritetit me miq. “Kosova gjithmonë do të jetë perëndimore, shtet i zhvilluar ekonomikisht. Ky është orientimi jonë”, ka thënë ai.

Veseli ka premtuar se do të ketë fuqizim të ndërmarrësisë, pasi siç tha ai, janë heronjtë e sotshëm, pasi krijojnë vende pune, zhvillim, e po ashtu tha se përkrahje do të ketë edhe për fermerët, do të dyfishohet buxheti për bujqësi, do të rriten subvencionet, grantet. Po ashtu do të fuqizohet rinia, që nuk është vetëm e ardhmja, por e tanishmja, ajo që duhet ta gëzojë Kosovën, ta zhvillojë, e ta ndërtojë Kosovën.

Lideri i PDK-së, tha se nuk ka zhvillim pa pas fuqizim të grave dhe se Fillimi i ri është përfaqësim i gruas dhe fuqizim i gruas në institucione, në ndërmarrësi, edhe atë me përgjegjësi në shtetin tonë. Veseli ka thënë se nuk do të ketë më doktor të papunë, sepse PDK do të fuqizojë sektorin shëndetësorë publikë, do të liberalizohen shërbimet shëndetësore në mënyrë që qytetari të ketë përkrahje këtu në Kosovë. Ndërkohë që do të fuqizohen edhe pensionistët.

I pari i PDK-së, ka thënë se koncepti i fillimit të ri fuqizon nga jashtë sovranitetin e mbron atë të pacenuar. Në të njëjtën kohë liberalizon jetën brenda duke e bërë të denjët për qytetarin tonë.

Veseli më 11 qershor ftojë qytetarët t’i përgjigjemi pyetjes se kush do ta udhëheq Kosovën?! Duke parashtruar pyetjet, se A munden ta bëjnë atë, ata që kanë koncept pa vizion , që nuk kanë guxim, që nuk e njohin shtetin e Kosovës…dhe duke marr përgjigjen e të pranishmëve, Veseli shtoi se atëherë duhet që me 11 qershor, të bëhen të gjithë bashkë, që t’i japin një fuqizim konceptit të Fillimit të Ri.

Pasi sipas tij, një koncept i tillë i thotë, po Kosovës, po Kosovës një shtet evropian perëndimor, po miqësisë të përjetshme me SHBA dhe partnerët tanë perëndimor, i thotë po zhvillimit ekonomik, po një Kosove krenare me qytetarët e saj që krijon perspektivën këtu në vendin e vet, po një fillimi të ri që është koncept i 11 qershorit.

Veseli tha se ka dashakqinjë që thonë se Anamorava do të jetë e izoluar, por ai shtoi se “do t’i qajmë edhe malet që të zhvillohet Anamorava dhe mbarë Kosova”. E Veseli pati porosi edhe për luginasit. “Porosi edhe për vëllezërit e motra që jetojnë në tokën tonë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, qëndroni në shtëpitë e juaja, qëndroni atje dinjitozë duke qenë krenar me kombin e juaj shqiptar, Kosova dhe Fillim i Ri do të jetë përjetë me ju, do të jem unë përkrahë jush”, ka thënë Veseli. Ai në fund ka kërkuar votën e gjilanasëve për kandidatët e PDK-së.

Ndërsa, Zenun Pajaziti, kreu i PDK-s së Gjilanit dhe kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës duke iu referuar, siç tha ai, mbështetjes së qytetarëve, ka paralajmëruar një fitore të madhe të PDK-së më 11 qershor. E, për më tepër ai ka shtuar se këtë fitore do ta pasojë edhe dhe një fitore tjetër (zgjedhjet lokal) për t’ia rikthyer Gjilanin PDK-së, një fitore që është po ashtu afër.

Ai tha se bashkë edhe me të tjerët, këto ditë, nëpër takime me qytetarë, me të rinj, burra e gra, që të gjithë ofruan mbështetje të madhe për PDK-së dhe treguan se mezi e presin Fillimin e Ri një platformë e prezantuar nga Kadri Veseli dhe PDK-ja.

Pajaziti tha se këto ditë ka takuar edhe qytetarë nga Preshevë e Bujanoci dhe ka marrë mbështetje edhe nga ta, por të cilët kanë kërkuar që të shikohen hallet e tyre, prandaj Pajaziti tha se dëshiron nga këtu t’i sigurojë ata se çdo qytetarë i asaj ane, është i barabartë me të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovës. “Ata nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë vetëm as edhe për një minutë, jemi bashkë për synimet e tyre për lirinë e plotë”, ka thënë Pajaziti.

Më tej ai tha se po shpalosin platformën e përpiluar nga ato që Veseli i ka gjetur në takimet e pareshtura me qytetarët anekënd Kosovës, një platformë e përqafuar edhe nga partnerët. “Ne jemi të lumtur si partia më e madhe në vend që na janë bashkuar edhe partitë tjera, me të cilët do ta ndërtojmë qeverinë dhe institucionin e ardhshme për ta quar vendin tonë përpara”, theksoi tutje Pajaziti.

Sipas tij, ky vit, do të jetë viti vendimtarë që të gjithë të rinjtë e Kosovës të jenë më të liri, të lëvizin lirshëm dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë. Ky vit do të jetë vit vendimtar për një kthesë të madhe që në katër vitet e ardhshme do të shihet në mënyrën e jetesës, të të gjithë qytetarëve.

“Koalicioni i PDK-së do të jetë fitues, Veseli do të jetë lideri më i votuar në vend, qeveria do të udhëhiqet nga ky koalicion dhe që Kosova do të shënojë një fitore të madhe, një fitore në të cilën PDK-ja do ta vendos vulën e saj”, ka thënë Pajaziti.

Ndërsa, Leonora Morina -Bunjaku, kandidate për deputet, ka thënë se Fillimi i Ri i PDK-së, ka bazë të fuqishme Kadri Veselin, liderin e partisë, njeriun, luftëtarin, garancinë e lirisë, shtetësisë, sovranitetit dhe zhvillimit të Kosovës.

“Fillimi i ri i PDK-së me aleatë tanë, ashtu si dje, në betejat e lavdishme të UÇK-së, ashtu si sot në fushatën dinjitoze ku shprehet qytetaria dhe besimi, më 11 qershor me fitoren e madhe, do të dëshmojë fuqinë e shtetit, të Kosovës sonë dhe besimin dhe dashurinë tonë për atdheun”, tha Morina-Bunjaku.

Sipas saj, Fillimi i Ri emërton zhvillim ekonomik e vende të reja pune, jo fjalë, por angazhime të matshme e konkrete në këtë drejtim. Fillimi i Ri emërton gruan kudo në vendimmarrje dhe angazhime të tjera në zhvillim e shoqërisë. PDK me Fillimin e Ri është sinonim i arsimit të ri konkurruese në tregun e punës, sinonim i shërimit përfundimtar të shëndetësisë.

“Me PDK-në dhe me fillimin e Ri, rinia nuk do të jetë më e ardhmja, por e sotmja premtuese”, tha ndër tjerash Morina-Bunjaku , duke ftuar gjilanasit ta mbështesin me votë PDK-në dhe kandidatët e saj më 11 qershor.

Përndryshe, deri më 11 qershor PDK ka paraparë edhe një mori aktivitetesh në terren.

You Might Also Like