KRONIKË E ZEZË

Paraburgim për policin që vrau qytetarin

Gjilan, 30 dhjetor 2019 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit V.H., i cili dyshohet se me armë zjarri, ka privuar nga jeta të ndjerin L.S.

 Sipas kërkesës ekziston dyshimi i bazuar që, i dyshuari V.H., më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’Nato 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin L.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri L.S, ku pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i dyshuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

 Me këto veprime, i dyshuari V.H., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

 Gjithashtu, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, pasi që iu janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshëm, si dhe veprën penale ‘’Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’’, pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit ka shkrepur me armë zjarri.

 

I dyshuari gjendet në ndalim 48 orësh dhe sot pritet të mbahet seanca për caktimin e paraburgimit para gjyqtarit të procedurës paraprake.

You Might Also Like