Gjilan

Osmani në Gjilan: Duhet të kujdesemi që në institucionet me ndjeshmëri të lartë, rekrutimi të bëhet me standarde

 

Gjilan, 21 shkurt / Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Gjilanin, ku pas një takimi me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, ka mbajtur një fjalë rasti në Kuvendin Komunal, ku ka shprehur dhembje për tragjedinë që përjetoi ky qytet para tri ditësh, nga humbja e jetës së pesë anëtarëve të familjes Bllaca.

“Ne ndjejmë sot po kaq dhembje, sa edhe secili prej jush dhe lutemi të gjithë së bashku për viktimat dhe të afërmit e tyre si dhe lutemi që ky të jetë rasti i fundit i dhembjes”, ka thënë Osmani.

Njëherësh,ajo ka shprehur mirënjohje për kryetarin Haziri dhe institucionet e këtushme për angazhimin në menaxhimin e një rasti kaq të rëndë e të ndjeshëm.

“Kemi ardhur sot në Gjilan, në këtë ditë zie e heshtje, për ta ndarë dhimbjen me ju, por kemi ardhur edhe për të dhënë mesazhin që kjo dhimbje mund të shërbejë për t`i rivlerësuar vlerat tona të përbashkëta e për t`i ri-mbledhur fuqitë tona”.

Osmani ka thënë se shpresat për të ardhmen nuk duhet humbur as në raste të tilla të rënda.

“Sot nga këtu apeloj që të mësojmë nga kjo humbje e thellë, t`i mbledhim fuqitë e të punojmë për mirëqenien e familjeve kosovare, si qeliza e parë dhe qeliza më e rëndësishme shoqërisë sonë”.

Për më tepër, Osmani ka thënë se si institucione të Republikës së Kosovës, kemi për obligim që të kujdesemi edhe për shëndetin mental të njerëzve tanë dhe të sigurohemi që në institucionet

tona e posaçërisht në ato me ndjeshmëri të lartë, të kemi rekrutim me standarde të larta, sepse ndryshe kjo mund të shndërrohet në burim potencial tragjedish.

Sa më thellë dhe më drejtë që e trajtojmë shoqërinë tonë dhe qytetarët tanë, aq më të përgatitur do të jemi për t`i ofruar asaj zgjidhjet e duhura.

Sot institucionet tona duhet të flasim me zë të lartë për problemet e shëndetit mental dhe për problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria jona, që sipas disa statistikave të shoqërisë civile, çdo javë, mesatarisht një qytetar i Kosovës bën vetëvrasje.

“Këto shifra, assesi nuk duhet t`i injorojmë, por në radhë të parë duhet të jemi pranë familjarëve dhe pastaj pranë secilit qytetar, si institucione, duke investuar në shëndetësi dhe duke investuar për të zgjidhur secilin problem”.

Përndryshe kryeparlamentarja Osmani tha se është rikthyer në Gjilan, për t`ju thënë qytetarëve se janë të vendosur për të shtyrë përpara çdo premtim, për të shtyrë përpara një projekt për shtetin e së drejtës, plot mirëqenie dhe siguri për qytetarët tanë.

“Ne jemi të vendosur që të krijojmë një hallkë mirëbesimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, në mënyrë që sa bashku t`i realizojmë projektet që janë jetike për qytetarët gjithandej Kosovës”.

Ajo premtoi mbështetje të plotë për komunën e Gjilanit në zgjidhjen e problemit të ujit të pijes si dhe projektet të tjera.

Osmani konfirmoi po ashtu se punimet në autostradën e Gjilanit do të vazhdojnë, duke thënë se ky është projekti numër një në programin e ri qeverisës, por ka thënë se nuk mund të lejojmë që emër të lidhjes së njerëzve me autostrada, t`i lidhim ata me zinxhirin e keqpërdorimit.

Dua të jem e qartë: “Autostrada e Anamoravës do të bëhet, por korrupsioni do të ndalet”, tha Osmani në Gjilan.

Kryeparlamentraja Osmani, së bashku me kryetarin Haziri ka vizituar edhe familjen Bllaca në Cërnicë, për të shprehur ngushëllim dhe për të ndarë dhimbjen për këtë tragjedi që ndodhi këtu para tri ditësh.

You Might Also Like