Libri

Orë Letrare në shënimin e 40-vjetorit të krijimtarisë letrare të Sabit Rrustemit

Gjilan, 22 dhjetor 2017 – Në nderim të 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të poetit Sabit Rrustemi, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur ora letrare kushtuar bagazhit të gjatë të shkrimit dhe botimit të librave të këtij autori.

Vet kryetari Haziri jetën e autorit Rrustemi e ka përshkruar duke u bazuar në të kaluarën e vështirë kur shkruhej e botohej shqip, në jetën e tërë që ia ka kushtuar shkrimit dhe temave të ndryshme me të cilat është marrë në një seri botimesh, nëpër kohë dhe rrethana të ndryshme e fatkeqësisht edhe të rënda për shqiptarët.

“Jam lexues i librave të Sabitit, jam rrit pranë tij dhe jam frymëzuar gjithashtu në rrugën e gjatë dhe të mundimshme që shqiptarët e kishin gjatë gjithë historisë. Se jam një lexues i librave të autorit Rrustemi, unë kam dëshmi sepse dy vajzat e mia kanë emrat që Sabiti i ka përdorur në librat e tij, Kënga dhe Lotina. 40 vjet veprimtari janë shumë me numra, por janë pak nëse e shohim vitalitetin e Sabitit. Ka qenë dhe mbetet i pakompromis që të ndalej në angazhimin dhe punën për liri në kohët më të vështira, i vendosur që të ecim përpara në kohën e Republikës dhe i dëshmuar poashtu edhe si pedagog, edukator dhe mbi të gjitha një kolegë i mirë. Në këtë mbrëmje, përpos këtij organizimi, për Sabitin kam edhe një mirënjohje në emër të Komunës së Gjilanit. Uroj më shumë energji, më shumë libra dhe shëndet për Sabit Rrustemin”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Kurse Sabit Rruastemi, ka thënë shkurtimisht në fjalën e tij se asnjëherë ndoshta nuk do të ishte i dhënë pas shkrimit e botimeve sikur të mos i blente dikur shumë moti librat, “Nektari i gjyshes”, “Kthimi në rini”, “Lulet e Verës”, “Bagëti e Bujqësi”, në vend të ndonjë gjëje tjetër, për çka babai i tij si gurbetqarë e kishte marrë ti blente.

Për periudhën 40 vjeçare kanë folur edhe poet dhe kritik letrar të shumtë që ishin të pranishëm nga Gjilani, Kosova dhe Shqipëria, si Prenk Buzhala, Ramadan Musliu, Anton Nikë Berisha, Bajram Kosumi, rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, Sherafedin Kadriu, Nexhat Rexha etj.

You Might Also Like