Futboll

Nuhiu: Na mungoi freskia në këtë ndeshje

Përgjegjësinë për  disfatën ndaj Trepçës ’89  me rezultat 3:1 e ka marrë trajneri i Dritës Ardijan Nuhiu, i cili pas ndeshjes deklaroi se futbollistëve të tij u mungoi freskia, por që nuk është pishman për lojtarët që inkuadroi në lojë.

“Nuk ishim të demotivuar. Pavarësisht se ishim në disavantazh prej dy golave, kisha besim se do ta rikthenim rezultatin dhe luftuam për atë, por goli i tretë ishte shokues për ne. Na mungoi freskia në këtë ndeshje, sidomos pasi luajtëm 120 minuta në ndeshjen e Kupës, por nuk mungoi angazhimi dhe dëshira për të luftuar. Përgjegjësitë për këtë disfatë i marë unë si trajner”, deklaroi Nuhiu.

“Nuk jam pishman për lojtarët me të cilët e nisa ndeshjen. Po të rikthej edhe njëherë ndeshja nga fillimi unë do të startoja me po të njejtit futbollistë”, vazhdoi më tej Nuhiu.

Më pas tekniku shkupjan foli edhe për objektivat e skuadrës gjilanase, si dhe afatin kalimtar të dimrit.

“Jemi brenda objektivave. Ne do të ulemi dhe do të bëjmë bilancin e stinorit vjeshtor, por duhet ditur që gjatë rrugëtimit është e pritur që mund të hasësh edhe në kundërshtarë dhe këso rezultatesh. Mbetet për tu parë nëse do të reagojmë apo jo me afrimin e futbollistëve, pasi që afati kalimtar i janarit është tejet i varfër”, përfundoi tekniku 40 vjeçar.

Drita mbyll vjeshten në pozitën e tretë të renditjes tabelare në Superligë me 31 pikë.

 

You Might Also Like