Gjilan

Në Gjilan nis shënimi i Javës së Shkopit të Bardhë

Gjilan, 18 tetor 2019 – Në Gjilan ka nisur shënimi i Javës Ndërkombëtare të Njeriut me Shkopi të Bardhë.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë hapjes ka deklaruar se është i nderuar që sot po shënojnë Javën e Shkopit të Bardhë për komunitetin dhe për të gjithë, për mundësi të barabarta.

“Ne duhet të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të koordinohemi për të gjitha llojet e aktiviteteve, në mënyrë që të integrohen të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë.  Zoti nuk na ka falë të barabartë, por na i ka dhënë mundësitë e barabarta. Gjilani është zgjedhur si komunë për implementim të programit të UNICEF për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ne do të punojmë në integrimin e fëmijëve në shkolla, përmes ndihmës që ofron sektori i arsimit dhe mirëqenies sociale, në mënyrë që të integrohen që në fëmijërinë e hershme”, ka thwnw Haziri.

Haziri e ka falënderuar kryetarin e Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, për punën e madhe, ndërkaq pohoi se çdo ditë dhe çdo javë duhet të jetë ditë e mundësive të barabarta.

Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu, e ka falënderuar kryetarin Hazitri për bashkëpunimin që kanë pasur që prej themelimit të kësaj shoqate, derisa pohoi se do të vazhdojnë me aktivitete tjera në kuadër të shënimit të Javës së Shkopit të Bardhë.

Përndryshe, Kombet e Bashkuara në vitin 1963 kanë shpall vendimin që nga 15 e deri më 23 tetor, të jetë Java Ndërkombëtare e Njeriut me Shkop të Bardhë.

You Might Also Like