KRONIKË E ZEZË

Ndalohet i dyshuari që vuri në qarkullim artikuj të dëmshëm ushqimor

 

Gjilan, 30 gusht 2019 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ndaluar një person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor’’.

 

Ekziston dyshimi i bazuar se, më 24 gusht 2019, tek piceria ‘’Grill house’’, në Gjilan, i dyshuari M.A., si pronar i saj, ka vënë në qarkullim artikuj të dëmshëm ushqimor, me ç’rast nga konsumimi i tyre disa klientëve iu janë paraqitur probleme shëndetësore, për të cilat janë detyruar të kërkojnë tretman mjekësor, ndërsa një numër i tyre janë ndaluar në spital për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

 

Bazuar në analizat laboratorike, të cilat iu janë bërë mostrave të marra nga pacientët, dyshohet se helmimi i tyre ka ndodhur si pasojë e konsumimit të ‘’Salmonela Enteriditis’’, e cila kryesisht gjendet në salca të ndryshme dhe ushqime tjera, nga i cili janë helmuar rreth 22 persona.

 

I dyshuari M.A., gjendet nën masën e ndalimit, që nga data 29 gusht 2019, ndërsa sot, brenda afatit ligjor, prokurori kujdestar ndaj tij do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan.

 

You Might Also Like