Libri

MESAZHI I PA KODUAR I NJË POEZIE

  Sherafedin Kadriu

 

MESAZHI I PA KODUAR I NJË POEZIE

(Rreth vëllimit poetik Lulet e lotët e Kosovës të poetit francez, Jean-Yves Carlen)

Udhëtimi ynë njëshekullor, pa pushuar asnjëherë, ka gjakuar lirinë e mohuar. Nisma e shekullit që iku, pati nisur me lirinë e rrejshme dhe robërinë e vërtetë nga sunduesit e rinj. Robëri që do të zgjasë deri në fundin e udhës që dukej pa krye. Mu atëherë, simboli pavarësisë/ i priu popullit të tij drejt tokës së premtuar /dhe që  si Mojsiu/ mbeti pa e shijuar- do të këndojë dhimbshëm Jean-Yves Carlen dy skajet e të natyrshmes. E këtë kontrast veprimi e gjakimi sikur e ndjente vetë prijësi se Të krijosh një vepër/ domethënë ta  futësh/një botë në një botë, që shpesh tjetërsohej për të marrë trajta tankesh rreth demonstruesve.

Për të përjetësuar artistikisht atë periudhë njohjeje e për ta ndjerë thellë shpirtërisht, Jean-Yves Carlen sjell veprën letrare “Lulet e lotët e Kosovës”. Mjafton titulli i veprës për të na rikthyer përmallshëm, herë trishtueshëm, edhe  guximshëm, në vitet 90 të shekullit të pacifizmit, dhe ku? Në Ballkanin plot barot. Kontrast gjuhësor e fiktiv po se po, por kontrast filozofik e strategjik me patjetër!

Një filozofi e re kjo, jo për sprovë tërheqjeje, as bindjeje, sa për shpërfaqje të tjetrit. Pas saj rendin radhët pa mbarim, për të rrugëtuar nëpër “hijet e hirta që bënin patrullat vërdallë” pak para orëve policore. Jo befshëm, po urtësisht janë pirë kafe të zeza siç është e errëta para agimit duke e përgjëruar Diellin: Vonohu, mos dil/Mos merr ngjyrë të kuqe/Mos bëj që të derdhet gjak. Jemi lutur ne, e nuk paskemi qenë të vetëm. Kemi ecur me patjetër, e na paskan shoqëruar miq. Jean-Yves Carlen, paska ndjerë si unë e ti, qenka dridhur si prindërit tanë para qenve të cytur mbi tanët dëshmorë, për të jetësuar njëmijë ëndrra të historisë së vetme/a njëmijë histori në një ëndërr të vetme.

Jean-Yves Carlen , siç shkruan në parathënie të librit, Kosovën e ka takuar në vitin 1995, për t’u bërë i saj pa as edhe një hezitim, për ta ndihmuar e mbështetur si të ishte biri etnik i saj, ndërsa lidhja me Rugovën, ka një shkas dhe një shkak. Shkasi është të qenët frankofon e frankofil, ndërsa  rruga e pacifizmit të prijësit, është shkaku. Vetë frymëzimi poetik ka këtë shkak burim. Duket se Jean-Yves Carlen herët ka filluar ta ndjekë rrugën e kundërshtisë pa dhunë, ta mbështesë rrugën e paqes të secilit njeri e të secilit komb. Ndryshe, muza e tij do të kishte shteruar pa nisur fare. Ky formësim e kushtëzim i autorit, nxjerrë nga konteksti kohor e letrar, ka shpërfaqur rezistencë pa dhunë në njërën anë dhe shtypje diktatoriale në anën tjetër. Aty janë emra të përveçëm e të përgjithshëm, antipodesh bardh e zi. Pa asnjë nuancë të ndërmjetme. Qe përditshmëria jonë antitezë:  me kombinate – pa punë, me shkolla – pa mësim në to, policë rrugëve – ne pa armë, në mes të Evropës – ne pa bukë. Revoltë pa dhunë,  burgosje qëndrestare, pajtim o mik, që të qeshim për të qeshur, të këndojmë për të kënduar, të jetojmë për të jetuar, t’ua dimë lezetin gjërave – thërret Jean-Yves Carlen, në ato ditë antitezash jete.

Poezitë, njëmend janë të pa titulluara, po i mbulon semantikisht kryetitulli: Lulet e lotët e Kosovës. Nuk e  di nëse janë lule si të Borhesit, por jam i sigurt se Lulet e Jean Yves-it, bashkë me lotët e Kosovës kanë të përbashkëtën: shpërfaqjen e të bukurës nga e keqja.

Shprehjet ndonjëherë deklarative janë në funksion të figurshmërisë së pasur, sidomos metaforash, simbolesh e krahasimesh. Ndërsa, epiteti s’ka sesi të mos jetë figurë në këto poezi, sepse aty ku është Agani, si të mos jetë burrëria, aty ku është Anton Çetta, si të mos jetë urtësia, aty ku ishte Rugova, ishte vetë Mojsiu.

Pas luftës i pari e ka parë muzgun e belbëzakes vjeshtë në Llashticë të Gjilanit dhe kudo ku mërgimi i kthyer zbulonte katunde të shkretuara. Paslufta është liria! E, a ka njeri me Nj, aso të madhe, që nuk do të thërriste pastaj si Jean-Yves Carlen:  Çil lulëzo prapë o trëndafil në dheun e simes ide?

Po, nuk përfundon me kaq, se paslufta kërkon të dalësh përtej traditash, urrejtjesh stërgjyshore e hasmërish, dhe ti natyrshëm do duhej të kërkosh falje, për të pritur një përgjigje. Nuk është e lehtë, megjithatë, po të premtoj të mundshmen, do të të përgjigjem, – përfundon Jean-Yves.

Nuk mund të mos thuhet edhe një fjalë për përkthyesin. “Lulet e lotët e Kosovës”, ruajnë ritmin e origjinalit dhe rimën e shfaqur natyrshëm ndonjëherë, mesazhin e pa koduar: pa dhunë për liri.

 

You Might Also Like