Gjilan

Mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Agim Rexhepit

Me rastin e ndarjes nga jeta të figurës së shquar politike në Gjilan dhe ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Agim Rexhepi, nën përkujdesjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur të premten një mbledhje komemorative.

Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se lajmi për vdekjen e Agimit, është një lajm shumë tronditës.

“Lajmi për vdekjen e Agimit ishte lajm i hidhur kur krejt ne prisnim që në pushimet e fundvitit të bëhemi bashkë, Agimi na la. Është ky lajm i rëndë dhe lajm që na mërziti”, ka thënë Haziri, para familjarëve, miqve, kolegëve dhe qytetarëve të shumtë të mbledhur në teatrin e Qytetit të Gjilanit.

Haziri tha se ka ndarë kohë të shumtë me Agimin, e kishte një bashkëpunëtorë të ngushtë, të afërtë, pasi Agimi për një kohë ishte edhe sekretar i LDK-së së Gjilanit, drejtor i DKA-së, por edhe në çdo takim tjetër, ai ka qenë i pandashëm për shkak shpirtit të tij fisnik.

Haziri tha se ai na la dhembje me ikjen e tij, por edhe kujtimet e mira, sepse ishte i afërt andaj me këtë mbledhje komemorative po i themi lamtumirën e fundit Agimit, që shpirti i tij do të bëjë dritë.

“Ne do të lutemi që Zoti të kujdeset për shpirtin e tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Lamtumirë!”, ka thënë kryetari Haziri.

Në emër të familjes, në këtë mbledhje komemorative ka folur Fatmir Rexhepi, deputet, i cili ka vlerësuar shpirtin e mirë të Agimit, duke thënë se ka ditur që edhe në situata të rënda, të krijojë pozitivitet për rrethin. Rexhepi tha se vdekja e Agimit ishte e papritur, ishte e hershme andaj dhembja është e madhe.

Përndryshe, varrimi i të ndjerit Agim Rexhepi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjilanit me iqindi (14:00).

You Might Also Like