Gjilan

LHK: 91 VJET MË PARË U NDA NGA JETA KOLOSI I KARADAKUT IDRIZ SEFERI

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan, me rastin e 91 vjetorit të vdekjes së Idriz Seferit, thekson se ky përvjetor i vdekjes së tij e gjenë të skalitur në shtatore mu në qendër të qytetit të Gjilanit duke qëndruar si roje e lirisë së vendit.

Idriz Seferi u lind më 14 mars të vitit 1847 në Mertur të Pukës nga babai Isufi dhe nëna Kadishja apo (Kaja) dhe ishte fëmija i tyre i parë. Ai u rritë në një familje me tradita atdhetare dhe jetoi në Sefer të Karadakut. Ishte bashkëluftëtar dhe prijës i tri gjeneratave luftëtarësh të viseve liridashëse e luftarake të malësisë së Karadakut, të Moravës, të Gollakut dhe të Vardarit.

Që në moshën 13 vjeçare ai luftoi kundër çetave terroriste serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe, si krah i fuqishëm në vijën e parë të rrezikut, u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës.

Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.

Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë.

Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912. Në aktivitetin e tij patriotik spikat veçanërisht Beteja e Kaçanikut në Kryengritjen e vitit 1910, ku dolën në pah cilësitë e rralla të karakterit të tij dhe aftësitë drejtuese luftarake, kurse në Kryengritjen e vitit 1912 ishte ndër drejtuesit kryesorë. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut.

Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, drejtuesi dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, më 25 mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.

You Might Also Like