Gjilan

LDK shpresë dhe besë për qytetarët e Gjilanit

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, nën udhëheqjen e kryetarit të Degës dhe të Komunës, Lutfi Haziri, ka mbajtur sot takim të rregullt me strukturat e saj, përfshirë kryesinë dhe kryetarët e nëndegëve.

Të gjitha strukturat e LDK-së i kanë dhënë mbështetje të fuqishme kryetarit Haziri, duke vlerësuar lartë qeverisjen komunale në  udhëheqjen e tij, i cili e ktheu kujdesin e Qeverisë së Republikës në investime, përderisa interesim të madh për Gjilanin ka shfaqur Tirana, Brukseli dhe shtetet tjera mike, duke ia ndryshuar jetën qytetarëve të Gjilanit.

Në këto takime, është parë një mobilizim masiv i strukturave të LDK-së, sidomos pas zgjedhjeve të Forumit të Gruas dhe Forumit të Rinisë, ndërkaq janë aktivizuar të gjitha Komisionet e Degës, të cilat kanë paraqitur raportet një-veçare të punës, është miratuar buxheti 2017 dhe po ashtu LDK ka ndarë obligimet organizative për t’u rikthyer në bashkëbisedim me qytetarët.

Strukturat LDK-së në Gjilan janë mobilizuar i fuqishëm për fitoren e radhës, e cila do të jetë sërish plebishitare, edhe atë pa balotazh. Të pranishmit kanë vlerësuar se LDK është shpresë dhe besë për qytetarët e Gjilanit.

Po ashtu, Lidhja Demokratike është duke punuar për organizimin e Konventës ditore më 16 prill, kur edhe do të shënohet 27-vjetori i themelimit të partisë së Ibrahim Rugovës në Gjilan.

Ndërkohë, pas një debati të gjatë në kryesi, me propozim të kryetarit Lutfi Haziri, Imet Rrahmani është zgjedhur nënkryetar i Degës, ndërsa Arben Mehmeti sekretar.

Përndryshe, gjatë takimit të sotëm të LDK-së, është vlerësuar lartë kontributi i gazetarit dhe publicistit, Bardhyl Ajeti, duke kërkuar nga autoritetet e sigurisë që ta zbardhin rastin e vrasjes makavre, sikurse edhe rastet e vrasjeve tjera të veprimtarëve të LDK-së.

You Might Also Like