LAJME

Kurteshi-Emini u premton fëmijëve se vendimet e tyre do të zbatohen

Gjilan, 6 korrik / Në fund të qeverisjes së tyre njëditore me Komunën, fëmijët e Gjilanit kanë mbajtur mbledhjen e asamblesë komunale, të cilën e ka udhëhequr Olti Syliqi, ku kanë shqyrtuar e miratuar katër pika të ndryshme, siç janë edukata sportive në shkolla, luftimi i dukurive negative, formimi i kabineteve si dhe kanë diskutuar rreth idesë së MASHT-it në lidhje me pilot-projektin që parasheh një reformim të mësimdhënies nga klasa e tretë.

Shpresa Kurteshi Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, është shprehur e kënaqur sa i përket bashkëpunimit të sotëm me fëmijët si dhe me angazhimin e tyre gjatë qeverisjes 24 orësh për të diskutuar çështje që janë me interes për nxënësit.

Kurteshi-Emini ka thënë se të gjitha kërkesat e tyre do të adresohen për zgjidhje dhe ka premtuar se së bashkë me kryetarin e Komunës do të angazhohen që nevojat e fëmijëve të plotësohen sa më mirë që është e mundur.

“Kuvendi Komunal do ta ketë në rend dite së shpejti rregulloren për fëmijë dhe unë ju premtoj se do të punojmë me përkushtim të madh që kjo rregullore të jetë sa më e mirë dhe e zbatueshme në praktikë”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Asamblenë e fëmijëve e ka përshëndetur edhe kryetarja e re e Komunës, Rega Aliu, ndërkohë që pjesëmarrësit kanë treguar interesim të madh për t`u përfshirë me diskutime në pikat e rendit të punës.

Përndryshe, duke vazhduar një praktikë të mëhershme, që në Gjilan ka nisur në vitin 2001, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i ka dorëzuar sot pozitën e tij për 24 orë, Rega Aliut dhe stafit të saj, Olti Suliqi, kryesues i Kuvendit të Komunës, Ledi Sylejmani, nënkryetar, Kanina Mehmeti

zëvendëskryesuese dhe Rona Aliu, shefe e kabinetit, si simbolikë e respektimit të të drejtave të fëmijëve.

“Fëmijët janë gjithçka për ne, prandaj duhet të investojmë në kujdes, edukim dhe punësimin e tyre në të ardhmen”, ka thënë Haziri.

Kurse, Rega Aliu është falënderuar për respektin dhe përkushtimin që Komuna e Gjilanit po tregon për fëmijët.

You Might Also Like