Gjilan

Kurteshi-Emini: Prioritet në investime do të caktohen në bashkëpunim me qytetarët

Gjilan, 17 gusht 2017 – Ciklin e dëgjimeve buxhetore, Komuna e Gjilanit e ka vazhduar mbrëmë në fshatin Malishevë, në një tubim ku ka marrë pjesë edhe banorët e Uglarit dhe të Caparit, të cilët i kanë paraqitur nevojat e tyre për investime në këto lokalitete. Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se dëgjimet publike kanë për qëllim përfshirjen e publikut në hartimin e buxhetit për vitin 2018.

Ajo ka thënë se në Malishevë, që është njëri ndër fshatrat më të mëdha të Komunës së Gjilanit, fatmirësisht janë kryer shumë punë deri tani, të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetës së qytetarëve, por ka edhe nevoja të tjera që duhet të përmbushën në të ardhmen.

“Ne jemi këtu që t`i dëgjojmë kërkesat tuaja dhe t`i përfshijmë ato në listën e projekteve kapitale për vitin 2018, për t`i realizuar si prioritete, brenda mundësive buxhetore që kemi si Komunë”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Kurteshi-Emini ka theksuar me këtë rast se të gjitha prioritetet për investime do të caktohen në bashkëpunim me qytetarët.

Hollësi për buxhetin 2018 ka dhënë Zijadin Maliqi, përfaqësues i Drejtorisë për Financa, i cili i ka njoftuar qytetarët e këtij lokaliteti veçmas me pjesën e investimeve, të cilat sigurohen nga të hyrat vetanake si dhe grantet e qeverisë.

Banorët e Malishevës kanë kërkuar investime në infrastrukturë, si trotuare, ndriçim publik për disa pjesë të mbetura në fshat, kanalizim si dhe rrënimin e shkollës së vjetër, sepse paraqet rrezik për fëmijët që lozin rreth saj.

Ndërkaq për Uglarin, prioritete janë rinovimi i shkollës, infrastruktura rrugore dhe kanalizimi.

Dëgjimi i parë është mbajtur në Zhegër, ku kanë marrë pjesë edhe fshatrat për rreth, dëgjimi i dytë është mbajtur në Velekincë, ndërkohë që do të vazhdohet në Livoç, Cërnicë, Përlepnicë, Bresalc, pastaj me grupe të interesit, me komunitete si dhe dëgjime të tjera, të cilat do të përmbyllen me takimin qendror, më 23 gusht, në sallën e Kuvendit të Komunës

You Might Also Like