OPINION

KONSEKUENT NDAJ KONKLUZIONEVE TË SË VËRTETËS HISTORIKE

aliriza  Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

        Vite më parë në kuadër të Panairit të Librit në Gjilan, pati disa promovime të veprave të disa autorëve  nga Kosova e Shqipëria, në mesin e të cilave ishte edhe vepra me titull “Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit-Islam Pira (1866-1931)”, e Mr. Sadullah Brestovcit, në botim të Institutit Albanologjik të Prishtinës, në vigjile të 30- vjetorit të vdekjes së autorit, të botuar më parë si fejton në “ Rilindje” më 1971. Tani e përgaditur nën përkujdesjen e redaksisë së punëtorëve të këtij instituti, bashkëpunëtorë të autorit, në përbërje të dr. Daut Bislimit, dr. Mehmet Halimit dhe dr. Zekirja Canës, që pas vdekjes i bën nderë autorit.

Prof. Sadullah Brestovci duke e ndjerë mungesën e kuadrit arsimorë në gjuhën shqipe, disa vite i kaloi në edukimin dhe arsimimin gjeneratave të reja në shkollat e Gjilanit dhe të Prishtinës. Ligjërimet e tija kanë mbetur në kujtesën e gjeneratave me të cilat punoi. Nga ai, për herë të parë patëm rastin të përcjellim ligjërata nga historia kombëtare dhe heroin tonë kombëtar – Skënderbeun.

Mr. Sadullah Brestovci si punëtor i palodhshëm i shkencës së historisë, që nga fillimi i punës në Institutin Albanologjik të Prishtinës, u angazhua  me seriozitet të madh dhe siç shprehet Dr. Zekirija Cana, “Si asistent i Institutit Albanologjik Sadullah Brestovci e pa të udhës t’i dilte borxhit ndriçimit të historisë së trevës së lindjes në kapërcyllën e shek. XIX, ndaj ai iu rrek me atë energji të pashtershme hulumtimeve të terrenit, kaptoi fshatra të tëra të Nahisë së dikurshme të madhe të Gjilanit, voli kujtimet bisedore të bashkëkohanikëve dhe dëshmitarëve të jetës dhe veprimtarisë së Islam Pirës ”  Si rezultat i kësaj pune ishte botimi fejtonit në “ Rilindje ”, më 1970, me titull “Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut”, pra ishte pijetar i jetës dhe veprës së kryepatriotit, të cilin e nxori nga errësira dhe i dha epitetin Kreshniku i Karadakut, kurse më 1971, fejtonin tjetër, pra veprën në fjalë. Punime të cilët iu ofruan lexuesit, në kushte dhe rrethana të kohës, mbështetur në fakte dhe argumente të shumta, siç janë të dhënat nga arkivat e ndryshme, të dhëna nga terreni nga bashkëkohanikët dhe pjesëmarrësit e ngjarjeve të kohës si dhe literaturës relevante. Të gjitha këto të trajtuara për herë të parë dhe të punuara mbi metodologjinë shkencore të shoqëruar me analiza e interpretime dhe vlerësime origjinale të ngjarjeve të zhvilluara gjatë fazës së fundit të LKSH në këtë pjesë të Kosovës. Punimet e Sadullahut duke sjellur shumëçka të re dhe të panjohur për kohën kanë zgjuar interesimin e publikut dhe të historiografisë shqiptare. Siç dihet pas këtyre punimeve Mr. Sadullah Brestovci, si punëtor shkencor i Institutit albanologjik, është thelluar mandej në ngjarjet edhe më të hershme e komplekse të historisë së Lëvizjes sonë kombëtare, duke hyrë thellë në shkencë me argumente ndriçoi shumë çështje të panjohura dhe të pa trajtuara deri më atëherë, andaj ai zë një vend të rëndësishëm në radhët e historianëve më të spikatur shqiptar, i cili i mbeti konsekuent pikëpamjeve të tija në qëndrimin konkluzioneve të së vërtetës historike. Siç bëhet fjalë edhe në biografinë e tij të përgatitur nga Dr. Skënder Riza e më pas edhe nga Dr. Mehmet Halimi, brenda një periode të shkurtër prej një dekade të veprimtarisë shkencore, Sadullah Brestovci, me punën e tij të palodhshme, la pas një punë të madhe e të vëllimshme me vlerë të madhe shkencore, duke marrë pjesë me kumtesa në kongrese, konferenca e sesione shkencore, si në vend ashtu edhe në botë. Andaj punonjësit e Institutit albanologjik të Prishtinës, e panë të arsyeshme që pas vdekjes më 1983, t’ia botonin veprën me titull: “Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze 1930-1878 ”, dhe tani veprën në fjalë, shpresoj që në të ardhmen po këta punonjës të institutit t’ia kompletojnë e botojnë edhe punimet tjera të Sadullah Brestovcit. Në këtë vepër krahas jetës dhe veprës së Islam Pirës autori trajton qëndresën e popullit shqiptar të kësaj ane me tërë kompleksitetin e vet dhe në gjitha aspektet, duke e trajtuar atë si pjesë integrale të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në viset tjera të Kosovës.  Autori me njohjen e anës teorike dhe metodologjike të proceseve historike, arriti që nga e përgjithshmja të veçojë në mënyrë të spikatur raportin në mes të lëvizjes dhe aspiratave të popullit shqiptar, me rrolin e personaliteteve në historinë kombëtare. Sadullah Brestovci ka arritur që duke i studiuar mirë rrethanat e kohës të nxjerrë figurën e Islam Pirës, si patriot, i cili sipas autorit zë një vend të rëndësishëm në radhën e patriotëve të Lëvizjes Kombëtare të viseve të Anamoravës në fillim të shek. XX. Metodologjia e punës, për të shkruar monografinë për Idriz Seferin dhe më pas për Islam Pirën, atëbotë të parat për Lëvizjen Kombëtare të Anamoravës, si të tillë veprat hapën rrugën për hulumtuesit e rinj të shkencës apo publicistikës paraprakisht të pa trajtuar sa duhet në historiografinë shqiptare.

Lënda e monografisë “LK në Kaza të Gjilanit Islam Pira (1861-1931)”, është mbarështruar në 286 faqe tekst që hapet me parathënie përgatitur nga dr. Daut Bislimi, i cili jep të dhëna për jetën dhe veprën e autorit, përmbajtjen e librit të cilin e vlerëson lartë. Libri është i ndarë në 6 kapituj (krerë), brenda të cilëve vijnë nëntitujt përkatës të cilët pasqyrojnë përmbajtjen problemit të trajtuar, me një përmbyllje, rezymenë në gjuhën angleze të përgatitur nga Dr. Zekiria Cana dhe biografinë e autorit të përgaditur nga dr. M. Halimi, indeksin e emrave dhe burimet e literaturën e shfrytëzuar. Autori vështrimin e fillon me imazhin e Pozhoranit vendlindjen e Islam Pirës, si njërën ndër vatrat dhe qendrat e dalluara të LK në Rrethit të Gjilanit, në fund të shek XIX dhe fillim të shek. XX, nga ku dolën shumë udhëheqës të LKSH të kohës, mandej rritën dhe edukimin e I. Pirës në mesin e odës së burrave, si vend i kuvendimeve, pasqyron aktivitetin e tij patriotik, bashkëpunimin me xhonturqit kundër reformave osmane, që si rrjedhojë kishin copëtimin e tokave shqiptare. Në vepër bëhet fjalë për Revolucionit xhonturk të cilit i parapriu tubimi i 20-30 mijë shqiptarëve në Ferizajt në korrik 1908, përmbysjen e absolutizmit hamidian ku shqiptarët e këtyre anëve patën një rol të rëndësishëm dhe siç thotë autori: ”Në shembjen e absolutizmit shekullor turk dhe në fitoren e parlamentarizmit, qoftë edhe formal, shqiptarët në tërësi, e veçanërisht ata të Gjilani, Preshevës e Ferizajt dhanë kontribut të pamohueshëm”. Në kuadër të këtij aktiviteti ishte edhe aktiviteti arsimor, shfrytëzimi i lirive të kufizuara për hapjen e shkollave shqipe me qëllim të arsimimit të popullit në gjuhen amtare, si nju segment tejet të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare, si fazë përgatitore për përgatitjen e kryengritjes së ardhshme të armatosur e cila do të qonte në jetësimin e autonomisë së Shqipërisë. Në kuadër të këtij aktiviteti hyn edhe hapja e shkollave shqipe në Anamoravë, pra edhe e asaj të Pozhoranit, më 1909, të ndërtuar dhe hapur nga Islam Pira, i cili siguroi mësues dhe tekste në gjuhën shqipe.

Udhëheqësit e kësaj ane në krye me Idriz Seferin, shpejt kuptuan politikën demagogjike xhonturke, andaj e panë të arsyeshme rifillimin e kryengritjes së armatosur, si e vetmja mënyrë për jetësimin e programit të autonomisë së Shqipërisë. Kështu në kapitullin e dytë e të tretë autori merr në shqyrtim Kryengritjen e vitit 1910, në të cilën Kazaja e Gjilanit, ishte njëra ndër qendrat e kryesore të kësaj kryengritje të armatosur, ku autori në mënyrë gjithëpërfshirëse bën fjalë për përgatitjen, rolin e prijsave të kësaj ane të prirë nga Idriz Seferi, si Ram Abdylit, vellëzerit Adem e Mustaf Kabashi, Kurtesh Kurteshi, Islam Pira, Murat Bresalci, Shabi Kajolli e të tjerë, udhëheqës dhe pjesëmarrës të ngjarjeve të kohës, Epopeja e Grykës së Kaçanikut, disiplinën e lartë të kryengritësve, sjelljet humane, planin strategjik të luftës etj. Kreu i tretë bën fjalë për luftimet në fshatrat e Moravës së Epërme e Karadak, masat ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës, shtypja e kryengritjes dhe djegia e fshatrave etj. Autori bën fjalë edhe për pjesëmarrjen e gruas shqiptare në LKSH, qëndrimin e feudalëve dhe personaliteteve të administratës osmane ndaj kryengritjes, ku veçon figurën patriotike të Kajmekamit të Gjilanit Xhelal beut, nga Tërnoci, i cili pati lidhje sekrete bashkëpunimi me Idriz Seferin, përkrahu dhe e ndihmoi LK në këto anë. Për të gjitha këto autori nxjerr konkluzione se literatura e huaj i paraqet të zbehta, e në disa raste është oponent edhe me të dhënat e autorit turk Syleman Kylqe, sepse faktet burimore e të terrenit flasin ndryshe.

Mr. Sadullah Brestovci në këtë vepër merr në shqyrtim disa çështje rreth kriptokatolicizmit në viset e Karadakut, si dhe qëndrimin e disa klerikëve të kësaj ane ndaj LKSH, dhe flet për rolin pozitiv të disa prej tyre si Mulla Sinan Maxhera, Mulla Idrizi i Caravajkës, Mikel Tarabullusi, Mulla Syl Smira etj. por edhe për disa të cilët kishin pasur qëndrim negativ në LK. Megjithatë autori udhëzon për një vështrim kritik e të matur të veprës së shumë personaliteteve të kohës, nga shkaku se siç thotë,. “ Ilegaliteti i rreptë ka kërkuar që të mos dinë as të gjithë ekzekutorët e aksioneve ”. Në monografi përveç Islam Pirës, përciptazi bëhet fjalë edhe për jetën dhe veprën e një numri të personaliteteve të tjerë të LK të kohës, në këtë pjesë të Kosovës, si bashkëluftëtarë të Idriz Seferit dhe njëherit Islam Pirës, në mesin e tyre ishin: Ram Abdyli, Kurtesh Kurteshi, Zeq Pira, Hamdi Kurteshi, vllazërit Kabashi, Fetah Sadovina, Shabi Kajolli, Murat Bilalli-Bresalci, Halim Begunca, Mulla Halimi i Cërnicës, Mikel Tarabullusi etj. të cilët i prinë popullit në luftë për liri dhe kundër rrezikimit të integritetit të tokave shqiptare. Autori ka venë në spikamë veprimtarin patriotike të Islam Pirës edhe mes dy luftërave botërore si kryetar Komune në Pozhoran. e sidomos këmbëngulsinë e tij kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, që si shkak ishte burgosja, keqtrajtimin, e si pasojë edhe vdes më 1931. Vdekja e hershme e Mr. Sadullah Brestovcit la një zbrazëti të ndjeshme në historiografinë shqiptare, por arritjet e tija shkencore brenda një decenie kanë mbetur një mbështetje e qëndrueshme për hulumtuesit e tashëm dhe të mëvonshëm të shkencës së historisë.

 

You Might Also Like