Teatër

KOMUNA NDAN 31 MIJË EURO PËR BORXHET E TEATRIT TË GJILANIT

Në dhjetor të vitit të kaluar Teatri i Gjilanit ndali punën krijuese.

Pas një jave angazhim aktorët nuk kishin mundur t’i vazhdonin provat më. Vështirësitë financiare kishin bërë që ata ta ndërprisnin procesin për inskenimin e shfaqjes “Kërkuesit”, me autor Zef Skiroin, në regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt.

Ishte planifikuar që shfaqja të jetë gati për festivalin tradicional “Flaka e janarit”, shkruan sot Koha Ditore. Por Komuna e Gjilanit u ka mbetur borxh 12 aktorëve të Teatrit.

Ata tashmë numërojnë gjashtë muaj – përfshirë janarin – që s’kanë marrë paga. Për këtë i kishin ndërprerë provat në ditën e 27-të të muajit dhjetor, fiks një javë pasi i kishin nisur ato.

Por të enjten Kuvendi Komunal i këtij qyteti ka venduar që të ndajë 31 mijë e 250 euro për t’i paguar aktorët dhe detyrimet e tjera që ka Teatri i Gjilanit.

You Might Also Like