Bujqësi

Komuna e Gjilanit subvencionon bletarët me 30 centrifuga elektrike

Gjilan, 29 gusht 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, kanë përgëzuar përfituesit e 30 centrifugave elektrike dhe kanë garantuar për rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2019.

Në fjalën e tij kryetari Haziri ka thënë se baza e zhvillimit lokal-ekonomik në Anamoravë mbetet bujqësia, e cila është siç ka thënë ai është qeliza e zhvillimit dhe baza kryesore që do të vazhdojmë me investime dhe rritje të subvencioneve.

“Uroj përfituesit dhe pas këtyre centrifugave ne do të vazhdojmë me subvencionimin e gjedhit. Ne jemi regjioni më i madh që po hymë në industrinë e përpunimit të ushqimit, konkretisht përpunimin e mishit. Do të vazhdojmë tutje në bazë të programit për bujqësinë që të financojmë projektet vjeshtore. Jemi përfitues të programeve të Komisionit Evropian, e sot edhe nga USAID-i, që Komuna e Gjilanit është duke kërkuar vazhdimisht programe e projekte në emër të bujqve”, ka pohuar kryetari Lutfi Haziri.

Kurse, nga ana e tij, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani ka potencuar se janë në vazhdimësi të angazhuar falë mbështetjes së kryetarit për të përkrahur çdo degë të bujqësisë përmes programeve të ndryshme me donator, por edhe me subvencione direkte për ngritje të zhvillimit ekonomik-lokal.

“Në vitin 2014 bletarët janë pajisur me 750 shtëpiza tre katëshe për bletë, në vitin 2015 janë përfitues 155 bletarë me janë pajisur me rroba dhe pajisje tjera të punës, po ashtu edhe në vitin 2016 dhe 2017, kemi ndarë 70 centrifuga, kurse me projektin e sotëm të shpërndarjes së 30 centrifugave, ne përmbyllim pajisjen e të gjithë bletarëve që kultivojnë mbi 30 shoqëri. Në Gjilan nuk ka bletar që posedon mbi 30 bletë e që nuk është pajisur me centrifugë elektrike”, ka thënë drejtori Ramadani.

“Planifikimi i Drejtorisë për këtë vit është subvencionimi i mbjelljeve vjeshtore me farë gruri dhe po në këtë vit do të bëhet ngritja e 20 hektarëve me kulturën e arrës, falë mbështetjes së kryetarit Haziri, që Gjilanit i ka siguruar edhe një program zhvillimor në vlerë prej rreth 500 mijë euro dhe sektori i bujqësisë është përfituesi kryesor”, tha Ramadani.

Ai më tej ka njoftuar se Gjilani ka 297 bletarë, prej të cilëve 101 bletarë kultivojnë mbi 30 shoqëri bletësh e 196 të tjerë kanë më pak se 30 shoqëri, që mbledhur në total në Gjilan janë gjithsej 6700 shoqëri bletësh.

You Might Also Like