Gjilan

Kodi i Etikës në gazetari, sfidat dhe problemet

 

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka organizuar një debat me drejtues të portaleve lokale në Gjilan ku është folur mbi rëndësinë e kodit të etikës, funksionimin e KMSHK, sfidat që kanë portalet lokale, mundësia që portalet të profilizohen e tema tjera të dobishme. Imer Mushkolaj kryetar i KMSHK tha se fatmirësisht portalet në Gjilan udhëhiqen nga gazetarë  me përvojë dhe kjo është tejet e rëndësishme.

KMSHK ka bërë bashkë drejtuesit e portaleve në Gjilan. Musa Sabedini kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”, themelues i Rajonipress dhe anëtar i bordit të KMSHK tha se respektimi i kodit të etikës është kusht thelbësor që portalet të kenë qëndrueshmëri profesionale. ”Nëse respektohet kodi i etikës dhe nëse respektohen parimet e vetërregullimit për mediet online, atëherë mundësia për të gabuar apo shkaktuar dëme ligjore është shumë e vogël”.

Sabedini tha se portalet çdo ditë e më tepër po e kuptojnë rolin që ka kodi i etikës dhe në përgjithësi KMSHK.

Ndërsa Imer Mushkolaj kryetar i KMSHK tha se portalet duhet t`i nënshtrohen përgjegjësisë profesionale dhe nuk duhet më të arsyetohen se nuk ekzistojnë rregulla. “Kodi i etikës e qartëson mirë edhe fushën e medias online. KMSHK po bënë një punë të mirë profesionale sepse ka edukuar portalet dhe u ka dhënë mundësi edhe zërit të qytetarëve apo lexuesve që të ndëshkojnë portalet përmes KMSHK”.

Mushkolaj tha se janë disa sfera të ndjeshme ku portalet duhet të kenë kujdes gjatë raportimit duke filluar nga lufta kundër gjuhës së urrejtjes në komentet e lexuesve në portale, mbrojtja e fëmijëve në media etj.

Mushkolaj tha se Gjilani fatmirësisht dallon shumë në këtë fushë sepse drejtuesit e portaleve vijnë kryesisht nga profesioni i gazetarisë ku edhe kanë pasur një përvojë të gjatë në mediat e shkruara.

Edhe Nehat Islami nga KMSHK tha se portalet duhet të ofrojnë raportime të balancuara dhe të bazuara në fakte e argumente, gjithnjë duke marrë për bazë të gjitha palët e përfshira në atë shkrim.

Enver Sadiku themelues i portalit “Kryelajmi” foli mbi rëndësinë e portaleve në dhënien e lajmit të shpejt, e ekskluziv. “Portalet shpesh duke qenë rob të shpejtësisë dhe klikimeve po japi lajme të rrejshme dhe kjo po e ulë besueshmërinë e tyre” tha Sadiku i cili dha një paraqitje më të gjerë mbi dukuritë negative që mund të ofrojnë portalet.

Muhamet Halili nga portali “2 lonline” foli mbi sfidat, problemet dhe çështjet tjera që preokupohen portalet lokale. “Ne jemi të kënaqur që megjithatë si portale lokale në masë të madhe e kemi respektuar kodin e etikës. Dëshmi për këtë është fakti se asnjë portal deri tani nuk është paditur apo dënuar për shpifje apo lajm të rrejshme” tha Halili.

Edhe Heset Zymberi nga portali “Gjilani Info” tha se puna në portale është e mundimshme dhe me shumë sfida.”ne jemi nga fusha e profesionit dhe me një përvojë bukur të gjatë në gazetari dhe kjo na ka ndihmuar që vërtet të jemi korrekt edhe ndaj lexuesve por edhe ndaj raportimeve tona të përditshme” tha Zymberi.

Në këtë debat ka folur edhe Tefik Selimi dhe debatues të tjerë.

 

You Might Also Like