KRONIKË E ZEZË

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksident me fatalitet

Gjilan, 5 korrik 2019 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit K.Z., për shkak të dyshimit se ka shkaktuar aksident në komunikacion, si pasojë e të cilit një person edhe ka humbur jetën.

Ekziston dyshimi i bazuar që, më 4 korrik 2019, rreth orës 22:55 minuta, në fshatin Uglar, komuna Gjilan, saktësisht përballë varrezave të fshatit, i dyshuari K.Z., duke drejtuar automjetin e markës ‘’Opel Vectra’’, ka shkaktuar aksident trafiku, në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe kalon në shiritin e kundërt të lëvizjes, ku me pjesën e parë të automjetit, e godet në pjesën e parë automjetin tjetër, të markës ‘’Mercedes’’, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G.S., i cili pëson lëndime vdekjeprurëse.

I ndjeri është dërguar në Qendrën Emergjente, pa shenja jete, ndërsa, përpos dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar tre (3) pasagjerë, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Prokurori kujdestar, ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i viktimës, të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e autopsisë, me qëllim të hetimit të kësaj çështje penale, si dhe, ndaj të dyshuarit ka parashtruar kërkesën për paraburgim në afat prej 30 ditësh, për të cilën pritet që brenda afatit ligjor të vendosë Gjykata Themelore në Gjilan.

You Might Also Like