Libri

KA KAQ SHUMË DRITË SA SHQISA VERBËROHET

ENTELA KASI

KA KAQ SHUMË DRITË SA SHQISA VERBËROHET

( cikël poetik në Ditën e 13 Gushtit )

KTHYER NË TEMPULLIN TËND

Ata janë këtu.
Si ky zjarr që të bën shkrumb e hi.
Ndaj mos ki besë!, Janë”…
Sa herë pyetëm veten
Për kohën mbetur në moskurr
Ku thyem kokat pa trup që i mbyllëm
Në sarkofag për të trembur fëmijët
Dhe zogjtë krahë hollë të ëndërrt
Oh ky makth, kjo qelë ku ngulëm njeriun
Ky tmerr që s’ na dhemb
mbyllur në zhguall,
banesa jonë e vetme rëndon mbi shpinën tonë të lodhur
Derisa eshtrat të jenë thyer krak,
Derisa qytete të jenë shembur mbi lugina
ku edhe lumi i ka ikur shtratit e tokës
Për ti hyrë thellë nën lëkurë historisë

Sa herë e pyetëm veten
E lënë peng në pranga që zotërinjtë i bënë prej metali të ftohtë
Im gjysh më kthehet me duart që dridhen
Kur mbledh duhanin në letra që nuk i shkroi kurrë
Dhe tymi si re gri mbi kokën e varur mbi trup,
përkulur si dega e mollës së pjekur
Gati për të rënë
prej lëkurës së deleve të bardha drejt në oxhak,
“Ata janë këtu, si ky zjarri që të bën shkrumb e hi.
Ndaj mos ki besë. Janë.”
Sa herë e pyesim veten
Për kokat e prera
Që i varëm ne bedenat e kështjellave
Si pendë korbi,
Sikur të ishim ne zotër të jetës dhe vdekjes

……..
E bukura ime e trishtë i këndon gjumit t’ikun
mbushur me lutje
Ky pëllumb i bardhë ulur në supin tënd ku bien luleborat
fjala nuk e kapërcen pragun e struket në
Në Kthjellë të ditës
Drita ime, kthyer në tempullin tënd i duron të gjitha
Sikur në një çast prej murit të kërceje sall mbi tokë shestuar
Do të mblidhje elbin shpërndarë mbi gurë që rrahin mendimet
Do të bluaje në kokën tënde të bardhë kodet e vjetra për ti bërë vargje perlash
Do të shtroje librat njëri pas tjetrit si një shtrat koralesh
Shkruar në pllaka balte të pjekur në letër të zverdhur nga koha
E do ia nisje këngës tënde mbushur me lutje në murin e rënë kah lindja
Ylli i dashurisë dhe shpresës
Ku vetëm dashuria mbetet
…………………………………………………
20. 10. 2015- 22.11.2015

FLUTUR BOJËDHEU

Oh rruga jote, flutur në gojë dheu,
Krahët e tu vraga shiu të zi, breshëri të kuq si gjaku,
Që sot e var si bizhu në qafën e prerë nga plaga e stinës së ikun
Sot t’ kthehet qielli e bie mbi ty guri i themelit të hjekur si lëkurë e robinjës
Moti pat stinë, shi pranvere, aromë lulesh, fruta të pjekur,
gështenja t’ ëmbla, shegë t’ kuqe dhe portokall Mesdheu,
Sy ulliri, kurorë dafinash, pëllumba krahëbardhë,
Pat festa ku gratë e bukura pinin vere mjalti n’ kupa lare me ar,

…….
O flutur – argjile e pjekur n’ hi drurësh t’djegun
O gjamë e verbër,
Ti nuk je
Kënga e këngëve,
Nuk je Penelopa ne avlëmendin e mendimit, durimit, dashurisë, shpresës
as Zana e as Ora e malit, n’ bjeshkë ku reja kris
O motër e shtatë vëllezërve te dekun nga mortja, lufta, motet…
O bijë e nanës që pret n’ prag dere rrafshuar me tokën,
Flutur bojë dheu,….

4.11.2016
SIKUR NË FLATRA ZOGJSH TË BARDHË TË ENDEJ FJALA

Në sqep të pëllumbit kumti
Dhe drita në sytë e të vetmuarit
Ngarkuar në trastën me libra
Të vjetër kohës që s’kthehet
Në parvaz të qelqeve
me botën mbi shpinë
Do të ishim kështu një mirazh
I dijes
Kokrizë rëre nën lëkurë të tingullit
Kur shkretimit njeriu i ndërton statuja
Dhe gra të mbështjella si kukulla
Mbetur në dhoma fëmijësh
I drejtojnë lutje qiellit
Ku lëvizin avionët…

Sikur në shtrat koralesh të prehej ëndrra
Në trup të perlës dhimbja e fikur
Në thellësi ujrash të errët
Detesh që botën ndajnë
N’kufij të së pamundurës
Dija
Do të zbriste në sytë e të trishtuarit
Si drita e flakës së kandelierës
Në udhëtim të pasosun’
Dhe gjuha nuk do të mjaftonte
Për të folur
Si peng i moskuptimit ndër njerëz
Kur natyra ikur prej nesh
Në muze, ka ndaluar mohimit,
Që i ndërtuam vetes si lojë
fshehur botës….

PËR KURRKUND JAM MËSUAR

Kah kur fjala gdhendej mbi gur, e piqej në pllaka balte
Tjetër gjuhë flitej dhe kur ka dashtë me besë njeriu
Deti bëhej rrugë për njerëz.
Thuhej për ku? Për kurrkund mësuar jemi – thuhej.
Por plaku i mençur me shkop në dorë, bëri një shenjë
Mbi krye
E u bë udhë, mes ujit bash u ba tokë!

Sonte këtë kangë i këndoj plagëve të hapura që pyesin,
E thonë: për kurrkund jam mësuar…
Kurkundi nuk ekziston.
Po të ishte nuk do të ishim.
Jemi!

Gjithçka tjetër një re e zezë që kris
e bie.

Si të gjitha kraukrimat e korbit
Që nuk mundet me u ba I bardhë!

Ose si vredeqekeksi që mbetet pellgjesh.
Tash kurrgja nuk po kam as me korbat, as me pellgjet.
Po lexoj plakun që bëri një shenjë mbi krye
Kur pyetej për ku, mijëra vjet kaluar!
E bash mes ujit u bë tokë!
Kurkundi nuk ekziston.
Jemi.

22. 07. 2019
Kosovë

POR NE THJESHTË NUK NDJEJMË

Këtu ku jemi, thuhet se njerëzit po plasin gazit harreshëm,
Dukshëm pasqyrash, rrejshëm
Njerëzit që kullosin fjalë përtypin ekrane
e ngulen në sofrat tona,
Të sotëm, të njëjtë, të djeshëm.

Këtu ku jemi, thuhet se lumturia është sheshit,
Qyteteve prej betoni, ka kaq shumë dritë sa shqisa verbërohet
dhe humbet funksioinin.

Ka ajër, thuhet! Por ne thjesht nuk ndjejmë.

Thuhet se liria këtu është jo thjesht një fjalë , duket.
kemi kyçur gojën me shtatë dryna,
(çelsat dihet i kanë ata që ulur janë mbi jetët tona )
Ndaj këtu ne plasim gazit nga lumturia,
ne robër,
Ne skllevër,
Të njëjtë, të sotëm, të djeshëm.


Vendi më i trishtë është një majë mali, mbuluar nga qielli,
Një bosh,
Pa njerëz.
Së paku atje, është një shkreti e ftohtë
Ku askush nuk mund të thotë:
Se tej- poshtë,
Njeriu po plas nga lumturia,
Dhe drita.

5.08.2019

You Might Also Like