OPINION

Jetoj e punoj me idealin e Xhevatit

 

  Shkruan : Ismet RASHITI

 

Lufta e përgjakëshme në Kosovë ka sjellur njëkohësisht dhembje, qëndresë e krenari, lot e mallkim nënash, grashë të mbetura pa burra e fëmijë të mbetur jetim. Që nga ditët e vështira të luftës çlirimtare dhe përgjatë gjithë këtyre viteve, përveq fjalëve të mira në përvjetorë, ende nuk është bërë sa duhet për familjet e dëshmorëve. Janë mijëra familje ; nëna, baballarë, gra e fëmijë të dëshmorëve të cilët kanë nevojë të madhe për përkujdesjen e shoqërisë, për dorën e shtetit për të cilin luftuan e derdhën gjak djemtë dhe vajzat më të mirë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

 

Njëra nga këto gra të dëshmorëve që asnjëherë nuk u dorëzua para fortunave të jetës, pas vdekjes së papritur të bashkëshortit, heroit të kombit, Xhevat Qerimi, padyshim është Imrie Demi-Qerimi. Kjo grua e hekurt, me ideale të larta kombëtare dhe e vendosur të qëndroi e palëkundur si shkëmb në rrugën e lavdishme të bashkëshortit.

« Xhevati më ka lënë tepër herët me dy vajzat e vogla, Qendresën dhe Jetëmirën të cilat tashmë janë rritur.  Pavarësisht se nuk e kam pasur fare të lehtë, asnjëherë nuk jam lëkundur nga ideali i bashkshortit, i cili tërë jetën ka punuar për çështjen kombëtare ».   Tani pas dy dekadave e gjysmë, Imria me shumë dhembje, por gjithsesi e përmbajtur dhe e fortë që t’mos e mundin emocionet, ndihet krenare me veprën, guximin dhe heroizmin e heroit, Xhevat Qerimi. Kështu e kishte mësuar e përgaditur për situata të vështira, bashkëshorti i saj, ky kolos i madh i kombit shqiptar.

Të përkujtojmë se Xhevat Qerimi ka qenë Kryetar i Komitetit Drejtues të LPRK-së për Anamorovë dhe pastaj Komandant i njësiteve të para të UÇK-së.

Kur njeriu takon, qoftë edhe rastësisht nëna, baballarë,  gra e veqmas vajza e djem të dëshmorëve  si Qendresa e Jetmira, nuk ka si t’mos ndihet krenar. Këto dy vajza si drita, janë bërë shembulli më i mirë për gjithë Gjilanin. Fryma dhe idealet e babait i përcjellin në çdo moment e kudo që janë. Pavarësisht se u mungon babai, ato ndihen krenare me veprën atdhetare të tij dhe zotohen se çdo herë do të jetojnë e punojnë sipas idealit dhe mësimeve të tij. Ideali kombëtar, mësimet e dëshmorëve, qëndresa e tyre dhe akti heroik në mbrojtje të tokave shqiptare, kanë mbetur udhërrëfyes gjatë tërë jetës së tyre. Këto mbase janë vlerat më të mëdha që i bëjnë të pathyeshme familjet e dëshmorëve të cilat me vetëdije të lartë kombëtare punuan, luftuan e qëndruan heroikisht përballë okupatorit serb. « Xhevati ka qenë i përkushtuar i tëri për lirinë e Kosovës. Ditë e natë ka qenë në lëvizje. Shkruante, lexonte e shpërndante gazeta ilegale. Përgaditej për luftë, pa të cilën nuk mund ta merrte me mend çlirimin e Kosovës. « Unë përpiqesha ti ndihmoja, të bëhem pjesë e veprimtarisë së tij atdhetare », thot pas kaq shumë vitesh, Imrie Demi, bashkëshortja e heroit.

Edhe sot e gjithë ditën, familjes Qerimi, bashkëshortes, Imries, vajzave, Qendresës dhe Jetmirës, por edhe gjithë trojeve shqiptare, iu mungon bashkëshorti, babai dhe promotori i luftës çlirimtare, heroi i heshtur, Xhevat Qerimi. Mesazhi i tij, jeta kuptimplote, guximi dhe heroizmi, e bëjnë të pavdekshëm për jetë të jetëve këtë trim e këtë burrë të madh të Kosovës.

Ajo që duhet të bëhet çdo herë e çdo kund është përkushtimi deri në përulje para veprës heroike të dëshmorëve. Ndërsa shteti është i obliguar të bëj më tepër për familjet, gratë dhe fëmijët e dëshmorëve që ata në asnjë moment të mos ndihen të lënë pas dore dhe pa përkujdesje shtetërore.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

   

You Might Also Like