Libri

Jeta është art, ajo nuk është kafe të përgojohen të tjerët …

Gjilan, 28 janar 2018

Quhet: Xhelil Arifi. Është nga Seferët, Malësia e Karadakut. Tash jeton në Gjilan. Është njeri me disa “veti” të veçanta njerëzore. Këto “specifika” të tij janë nga përvoja e tij jetësore. Qe një jetë kohe i burgosur. Edhe këtë “jetë” të idhët, Xhelili e përjetoi dhe mësoi. Kur bëhet fjalë për atë “jetë” specifike, ai rrëfen dhe s’ndalet… Tash ai jeton si të gjithë të tjerët, por e ka jetën “tjetër” nga të tjerët. E do librin, revistën, gazetën, sepse, me këto “sende” është rritur në shkollë e në jetë.

Shih për këtë, ai asnjëherë nuk ndalet së lexuari vepra të shkrimtarëve të ndryshëm e tanë, të cilët, në portalin e tij “Proinformacion.com” i prezenton dhe ju jep hapësirë. Me fjalë të tjera, ju jep “shije” e jetë për t’ua bërë lexuesve më përafër veprën e bukur arstitike. Ky është Xhelil Arifi, i cili punon e s’ndalet. Kur është fjala si gazetar, ai ka qenë pjesë e gazetës “Fakti”, e cila dilte në Shkup, por edhe pas lufte, ka dalë në Kosovë. Ai ishte e është gazetar, i cili me laps në dorë i mbulonte ngjarjet më të ndryshme në Maqedoni, Kosovë e gjetiu. Jo vetëm kaq.

Në fillim ishte fjala. Xhelil Arifi ka specifika të ndryshme në jetë. Ai e jeton jetën prej gazetari, publicist, por edhe prej poeti apo krijuesi. Puna e tij nuk bëhet vetën në shtëpi, por bëhet kudo që ai gjendet. E preferon një kënd apo vend të qetë, aty ku ka njerëz të ulur dhe bisedojnë. Ky e prferon këndin ku ka pak muzikë e ku nuk tymoset ambienti. Aty ai rrëfehet dhe inspirohet të shkrujë vargje, lajme, komente e shënime të tjera.

Dikush e vëren se ai po “argëtohet” me këto “sende”, por JO! Ai kështu e adhuron jetën, sepse jeta nuk është vetëm të qëndrosh në kafe dhe të bësh llafe për përgojime të njerëzve të tjerë. Jeta e tij është krejtësisht tjetër nga të tjerët. Ai e adhuron shoqërinë që ka fuqi poetike, rrëfimore dhe që ka “bagash” të dijes për ecje përpara.

Kur bëhet fjala për veprimtarinë e tij poetike, ai ndalet dhe thotë se, poet nuk është ai që në çdo muaj boton nga një vepër letrare. “Shkrimtarët e mëdhenj rrallë kanë botuar vepra letrare. Por, veprat e tyre jetojnë gjatë, gjatë… Ato vepra të tyre nuk “vdesin”, por mbesin të përjetshme. Pra, nuk është lehtë të shkruash një poezi, roman, dramë e novelë apo tjetër, sepse kërkon punë, përkushtim, angazhim dhe dije e fuqi krijuese artistike.

Unë, para do kohe kam botuar veprën e parë poetike me titull “Ma kujto diellin”. Është vepër poetike, e cila është pritur fort mirë nga lexuesit dhe kritikët. Kur është fjala tek poezia, unë së shpejti do ta botoj veprën e dytë me poezi. Unë shkrua për vete, por s’do të thotë se nuk shkruaj edhe për të tjerët. Këtu është porosia e krijuesit. Vargjet e mia nuk janë prozaike, rrëfimtare apo deklarative, por janë vargje të shkurtëra që reflektojnë jetën tonë të përditshme. Dua që me pak fjalë të them diçka. Ta paraqes jetën tonë të përditshme, e cila është plot me anë jo të mira jete, por ka aty-këtu që adhurohet dhe vlerësohet. Jetë me “zhurmë” e me pak qetësi. Ku të shkosh, ka zymtësi jete.

Të brengos lypësari që del para marketit, apo ai tek samaforat e diku tjetër te shkollat. Nuk është “rregull” kjo që na e duam, por ja ajo na erdhi pas lufte me lloj-lloj ngarjesh e rrëfimesh më të ndryshme që të kthen në dhimbje”.

Kur ishte tek fjala e udhëheqja e portalit apo agjencionit të lajmeve Proinformacin. com, ai na shton se, i do me dëshirë lajmet apo shënimet që bëjnë fjalë për të kaluarën e popullit shqiptar. “Po, shton Xh. Arifi, editor, -unë e preferoj të shkruaj për lashtësinë e popullit tonë krenar. Kjo më pëlqen dhe është në qendër të punës sime.

Lexuesit e portalit tim këtu e gjejnë vetën, sepse informohen për historinë e kaluar të popullit shqiptar. I gjej këto shënime dhe ua prezentoj lexuesve të mi. Më duket se po e shfletoj një enciklopedi ngjarjesh të hershme, nga ilirtë e gjer në ditët tona. Kjo më pëlqen dhe është për t’u përlqyer. Por, edhe pas kësaj pune, unë ngjarjet aktuale nuk i lë anash. I përcjelli në atë mënyrën time.

Dua të jem i saktë dhe i paanshëm. Me fjalë të tjera, e dua jetën shkrimore, sidomos të gazetarisë, e cila shpeshherë më zgjon nga gjumi për ta qitur në “letër”. Kjo është jeta ime specifike që e dua dhe e vazhdoj… Ju falemnderit të gjithëve që me lexojnë”./Tefik Selimi

You Might Also Like