OPINION

Imzot Vincenzo Paglia: Ibrahim Rugova, ‘ati’ i atdheut tuaj

Shkruan: Dr. Muhamet Hamiti

Shkëlqesia e Tij Imzot Vincenzo Paglia (Vinçenco Palja), President i Akademisë Papnore për Jetën, mori sot gradën Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në fjalën e tij falënderuese, ai afirmoi idetë që përmban thirrja apostolike e Papa Françeskut për gëzimin, martesën dhe familjen, Amoris Laetia (Gëzimi i dashurisë), që e shpalli vitin e kaluar. Kjo Thirrje u drejtohet katolikëve në radhë të parë, “por në të mund të gjesh edhe mjaft udhëzime e këshilla për të gjitha familjet, pavarësisht nga besimi i tyre dhe nga shoqëria ku ato jetojnë”, konstatoi Paglia në fjalën e tij para pjesëmarrësve të ceremonisë së shpalljes së tij Doctor Honoris Causa. Duke folur për njohjen e tij të hershme me Kosovën dhe Ibrahim Rugovën, prijësin e saj historik, Imzot Paglia, tha më tej:
“Nëpërmjet jush që sot jeni të pranishëm këtu, përshëndes të gjithë popullin e Kosovës, që e kam dashur qysh nga ato vite tashmë të largëta, kur pata takuar Ibrahim Rugovën, ‘ati’ i atdheut tuaj dhe njeriu i mprehtë i letrave: qysh nga fillimi i viteve 90, miqësia me të ka qenë për mua nder i madh. Kjo miqësi kurrë nuk u ndërpre, por, përkundrazi, ka ardhur duke u rritur, veçanërisht gjatë çasteve më të vështira të jetës së tij, kur atij iu hoq liria. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga momenti kur Rugova ka ndërruar jetë dhe, megjithatë, për mua kujtimi i tij mbetet i pashlyeshëm. Uroj që të gjithë banorët e këtij Vendi, jo vetëm shqiptarët, ta ruajnë dëshminë e tij si visar të vyer, që do të japë fryte në dobi të paqes dhe të zhvillimit të Vendit.”
Imzot Vincenzo Paglia ka qenë ndërmjetës, si përfaqësues i Komunitetit Shën Egjidio (Sant’ Egidio), për arritjen e marrëveshjes së njohur për arsim të 1 shtatorit të vitit 1996 ndërmjet Dr. Ibrahim Rugovës dhe Sllobodan Millosheviqit, që parashihte kthimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë në objektet shkollore prej të cilave ishin përzënë nga regjimi serb.

You Might Also Like