Gjilan

Haziri: Nuk mund të durojmë deri në pafundësi

Gjendje me mbeturina në qytet, është bërë temë qendrore e këtij fillmviti në Gjilan. Punëtorët e Kompanisë “Ekohigjiena” po bëjnë grevë, investitorët austriakë nuk po mund t’i bindin punëtorët që t’i kthehen punës, në tërë këto zhvillime edhe komuna e ka rolin e saj, ngase ka 49 përqind të hises në kompani, derisa partitë në opozitë Vetëvendosje dhe PDK, një pjesë të fajit ia hedhin komunës dhe vetë kryetarit Lutfi Haziri.

Kreu i komunës, ka mbajtur një konferencë me gazetarë këtë të shtunë, në të cilën ai fillimisht ka sqaruar se Kompania për Grumbullimin e Mbeturinave nuk është as publike e as private, por publiko-private, nga të cilat 51 përqind i takon Kompanisë austriake “Moser Group”, derisa 49 përqind Komunës së Gjilanit.

Haziri, tha se gjendja në kompani është pozitive, grumbullimi i buxhetit pozitiv, sikurse edhe puna që kryhej, por ka ngecje në investime. Në zhvillimet e tashme, komuna është në mbështetje të punëtorëve, por edhe jo në mbështetje të grevës, ngase komuna nuk mbështet papuntorët, por edhe është kundër emërimeve e largimeve brenda natës.

“Nuk do të lejojmë që të keqpërdoret partneriteti publik-privat. Ne kemi më shumë asete se Moser Group”, ka thënë Haziri, sipas të cilit punëtorët nuk kanë të drejtë të protestojmë shumë se një orë në ditë dhe nëse bëhet një gjë e tillë ajo është e paligjshme.

Ai ka thënë se komuna dëshiron që drejtori të zgjidhet sipas konkursit publik, që punëtorëve t;u jepen kontratat e punës, por është keq që kompania është nën hetim nga prokurori i shtetit e roli ynë ishte dhe do të mbetet lehtësues dhe nuk kemi asnjë rol negativ.

“Ne po këmbëngulim që partneriteti të ruhet, por nuk mund të tolerojmë që deri në pafundësi të jetë një situatë e tillë, ku udhëheqja nuk flet me punëtorët e vet”, ka thënë Haziri.

 

You Might Also Like