Gjilan

Haziri: Komuna e Gjilanit ka krijuar mekanizma të veçantë kundër dhunës ndaj grave

Gjilan, 8 mars 2018 / Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka shënuar me 8 marsin – ditën ndërkombëtare të Gruas, me një seancë të jashtëzakonshme, e cila, siç ka thënë kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, është iniciuar nga këshilltarët e LVV dhe është përkrahur edhe nga grupimet tjera, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, bashkë me mekanizmat që merren me parandalimin dhe trajtimin e kësaj dukurie negative, që siç doli nga debati, nuk është karakteristikë vetëm e shoqërisë kosovare, por edhe vendeve tjera më të zhvilluara.

Kryetari Lutfi Haziri, pasi i ka uruar gratë për 8 mars, ka thënë se Komuna e Gjilanit ka krijuar strategji e mekanizma të veçantë kundër dhunës në familje, të cilët janë duke e bërë punën e tyre në mënyrë mjaft efikase.

Duke shprehur keqardhjen e tij për dhunën në familje, që për fat të keq ndodh edhe sot, Haziri ka thënë se shifrat nuk tregojnë për një rritje të rasteve, por për një vetëdijesim të qytetarëve, sidomos të femrave, në raportimin e dhunës.

Duke qenë se faktori ekonomik, është një nga shkaktarët kryesor të dhunës në familje, kryetari Haziri ka folur edhe për angazhimet konkrete të Komunës së Gjilanit, në krijimin e kushteve për punësimin e grave përmes programeve të ndryshme.

“Pavarësia ekonomike e bën më të pavarur një grua dhe vetvetiu e largon atë nga mundësia për të qenë viktimë e dhunës në familje”, ka thënë Haziri.

Nevzad Isufi (LVV), në emër të grupit iniciues për mbajtjen e kësaj seance, ka thënë se dhuna është dukuri e papranueshme në çdo shoqëri, sepse është një veprim që cenon dinjitetin e tjetrit dhe aq më keq kur kjo ndodhë brenda familjes.

“Familja konsiderohet një vlerë e shenjtë dhe nuk duhet lejuar që dhuna ta cenojë këtë shenjtëri”, ka nënvizuar Isufi, duke rikujtuar se Kosovës nuk i mungojnë ligjet për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, por siç ka thënë ai, bërja e ligjit dhe zbatimi i tij, janë dy gjera të ndryshme.

Lindita Salihu, zyrtare për barazi gjinore dhe koordinatore e Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje, ka paraqitur aktivitetet e zhvilluara brenda një viti në funksion të parandalimit të dhunës në familje.

Kësaj teme, me pyetje e diskutime, i kanë kontribuar edhe Arbëreshë Kryeziu, Avdyl Aliu, Riza Abdyli, Arta Nuhiu, Gentrit Murseli, Arijeta Rexhepi, Xhelal Rrustemi, Shemsedin Elezi, Burim Berisha, Fitim Guda, Ibish Ibishi, Antigona Kqiku e të tjerë, sikurse edhe Elmina Mahmuti, drejtoreshë regjionale e Policisë së Kosovës, Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi, Mursel Zymberi, drejtor i Qendrës Sociale, të cilët janë përgjigjur në disa prej interesimeve konkrete të këshilltarëve komunalë.

Kuvendi Komunal ka miratuar edhe tri rekomandime nga kjo seancë, të cilat i ka lexuar kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini.

Kësisoj, Mekanizmit Komunal Kundër Dhunës në familje i rekomandohet që në bashkëpunim me Komitetin për Kulturë, Rini e Sport si dhe Komitetin për Barazi Gjinore, të organizojë një fushatë vetëdijesimi kundër dhunës në familje, pastaj u rekomandua rishqyrtimi i Strategjisë Komunale Kundër Dhunës në Familje dhe ndryshimi e plotësimi i saj aty ku është e nevojshme, ndërkohë që rekomandimi i tretë kishte të bënte me plotësimin e Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje edhe me dy anëtarë të rinj nga Kuvendi Komunal, njëri nga LDK dhe tjetri nga LVV.

Përndryshe, për nder të 8 Marsit, në Gjilan janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera, ku është diskutuar për rolin e gruas në proceset e rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

You Might Also Like