Gjilan

Haziri: Askush nuk mund ta thyej mitin për mua si person i pa korruptuar

Gjilan, 29 qershor / Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e ka vlerësuar tendencioze qasjen e një pjese të opozitës ndaj gjendjes në “Ecohigjiena”, duke e bërë fajtor atë për gjithçka që ka ndodhur në këtë ndërmarrje, ndonëse marrëveshja e partneritetit publiko-privat me kompaninë austriake, është nënshkruar nga qeverisja e kaluar.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Haziri ka thënë se politizimi në “Ecohigjinë” ka filluar prej ditës së nënshkrimit të marrëveshjes, prandaj kontrata është nën hetime të prokurorisë, ku po vlerësohet ana ligjore e saj.

“Ata që kanë ngrënë gjellë të prishur, do të vjellin tërë jetën”, ka thënë Haziri.

Haziri i ka porositur kundërshtarët politikë që të mos përpiqen ta thyejnë mitin për të si një person i pa korruptuar, për shkak të inatit nga humbja në zgjedhjet e kaluara, sepse nuk do t`ia arrijnë kurrë këtij qëllimi.

Sa i përket gjendjes në “Ecohigjinë”, për çka ka raportuar përfaqësuesi i partnerit privat, Senad Ramaj si dhe është zhvilluar një debat i gjerë dhe mjaft kritik, nga anëtarët e Kuvendit, kryetari Haziri ka thënë se Komuna e ka për obligim të kujdeset për këtë ndërmarrje, sepse i ka 49 për qind të aksioneve të veta në këtë partneritet, sikurse duhet të kujdeset edhe për përmbushjen e kushteve të kontratës.

Ndërkaq, sa i përket anës ligjore të kontratës, Haziri ka thënë se përgjegjësia bie mbi ata që kanë nënshkruar një marrëveshje të paligjshme dhe tani përpiqen të fshihen mbas hijes sime, por këtë nuk do të mund tas bëjnë.

“Shpella e Ali Babës në Gjilan është zbuluar dhe adresa e saj dihet”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Komunës tha se dëshiron zgjidhje të problemit në ”Ecohigjienë”, por ka kërkuar nga menaxhmenti i kompanisë që t`i respektojë kushtet e marrëveshjes si dhe ligjin e punës, meqë ka marrë obligime që, pos investimeve, ta ruaj edhe numrin e punëtorëve.

“Unë do t`i propozoj Kuvendit Komunal ndërrimin e komisionerëve dhe të Bordit të Drejtorëve”, ka thënë kryetari Haziri.

Sa i përket pagesës për disa shërbime, që kompania i ka kryer jashtë afatit të kontratës, ai ka theksuar se kompensime për marrëdhënie të pa kontraktuar nuk mund të bëjë, sepse kjo është procedurë e paligjshme, sikurse as nuk t`i garantojë monopol në shërbime kësaj kompanie.

Përndryshe, bashkëpunim në kapërcimin e kësaj gjendje në “Ecohigjiena” ka kërkuar edhe Senad Ramaj, përfaqësues i “Mosser Group”, duke thënë se edhe problemi është krijuar bashkërisht. “Unë jam krenar për një periudhë të partneritetit, ndërkaq për një periudhë tjetër, jam shumë i pa kënaqur”, ka thënë ai. Sipas tij, ka pasur një tendencë për ta diskredituar partnerin privat.

Isa Agushi, i cili ka qenë më i ashpri ndaj gjendjes në këtë kompani, ka thënë se kushdo që punon me hile, fundin e ka të keq.

Sipas Nevzad Isufit, shkelje të kontratës, ka pasur nga të dyja palët, prandaj problemet nuk po zgjidhen, por vetëm sa po thellohen.

Riad Rashiti ka thënë se qëllimi i kësaj qeverisje ka qenë që ta prish këtë marrëveshje, prandaj ky Kuvend Komunal ka marrë vendime të jashtëligjshme ndaj kompanisë.

Fehmi Sylejmani ka thënë se grevat e punëtorëve nuk kanë qenë të pa ligjshme, por kanë ndodhur si reagim ndaj gjendjes në kompani dhe vendimit të menaxhmetit për largimin e një numri të tyre nga puna.

Bujar Nevzati ka kërkuar nga palët që secili t`i kryej obligimet e veta, kurse Nevzad Rushiti, për dallim prej të tjerëve, është shprehur optimist për të ardhmen e kësaj kompanie.

Selami Xhemajli ka thënë se Kuvendi i ka dhënë përkrahje dhe më herët kësaj kompanie, por gjendja atje vetëm sa është përkeqësuar dhe ka kërkuar kthimin në punë të punëtorëve të larguar, nëse arta nuk kanë bërë ndonjë shkelej ligjore.

Përndryshe, Kuvendi Komunal ka miratuar rekomandimet e kryetarit të Komunës për ndërrimin e komisionerëve dhe bordit të drejtorëve, servisimin e borxheve ndaj deponisë, mbajtjen e numrit të njëjtë të punëtorëve në kompani si dhe refuzimin për pagesën e shërbimeve të pa kontraktuara.

Kuvendi po vazhdon punën me pikat tjera të rendit të ditës.

You Might Also Like